
Në ditën e tretë të zjarrit në ishullin e Sazanit situata vijon të jetë shqetësuese. Zjarri vijon të jetë aktiv në një sipërfaqe të konsiderueshme në pjesën lindore të ishullit përball qytetit të Vlorës.
Me dhjetëra pisha shekullore janë shkrumbuar dhe vijojnë të digjen edhe ditën e hënë. FA gjatë mbrëmjes së djeshme kanë luftuar me flakët të mbështetur edhe nga ADZM, por shuarja e zjarrit ka qenë e pamundur.
Ditën e sotme flakët vijojnë dhe pritet që në ishullin e Sazanit të nisen edhe punonjës së zjarrfikëses. Siç duket dhe nga pamjet që janë marrë nga qyteti i Vlorës e ishulli është i rrethuar nga një mjegull tymi dhe duken qartë vatra zjarri që janë aktive.
Është dhënë urdhër që asnjë foto ose video të mos i përcillet mediave. Po ashtu një rrezik evident në ishull janë dhe municionet e mbetura të cilat shpërthejnë nga zjarri. Deri sa të shuhen flakët e zjarrit dhe të pastrohen mbetjet e municioneve ishulli i Sazanit do të jetë i mbyllur për turistët.
Dyshohet se shkak i zjarreve në Sazan janë papërgjegjshmëria e pushuesve që shkojnë me mjete të vogla dhe pa leje, ndezin zjarre për ushqimet e tyre, ndërkohë qe në ishullin e Sazanit janë vetëm katër ushtarë që monitorojnë gjithë ishullin dhe kjo është e pamundur.



