Rusia ka transferuar pajisje të rëndësishme ushtarake në Bjellorusi. Një lajm të tillë e ka bërë të ditur gjatë orëve të fundit grupi Hajun, i cili është i angazhuar në monitorimin e lëvizjeve të armëve ruse.
Megjithatë ky nuk është transferimi i parë i pajisjeve ushtarake nga Moska në Minsk, duke pasur parasysh aleancën politike dhe ushtarake mes dy vendeve.
Por kësaj radhe, ka armë më të sofistikuara në lojë. Sipas Hajun, rusët kanë transferuar të paktën 15 sisteme raketash tokë-ajër Tor-M2 dhe dhjetë automjete inxhinierike në vendin aleat.
Rusia ka dërguar armë dhe njerëz në Bjellorusi që para fillimit të luftës në Ukrainë.
Disa ditë para miratimit të vendimit nga Vladimir Putin, për sulmet e para kundër Kievit, në Bjellorusi u mbajt një stërvitje e rëndësishme, e cila më pas mori pamjen e një preludi të vërtetë konflikti.
Për këtë çështje, rusët përdorën territorin bjellorus për të filluar avancimin në veri të Kievit dhe për të hyrë nga kufiri pranë termocentralit bërthamor të Çernobilit.
Një mbështetje logjistike dhe jo e drejtpërdrejtë nga qeveria e Presidentit bjellorus, Aleksander Lukashenko e cila e ka e ka kthyer vendin palë në luftë.
Megjithatë, deri më tani nuk ishte konstatuar transferimi i të gjitha baterive të sistemeve raketore. Karvani Tor-M2 i identifikuar nga grupi Hajun ishte ndoshta i pari, por pothuajse me siguri nuk do të jetë i fundit që do të drejtohej në Bjellorusi.
Kjo nuk është kolona e fundit ushtarake me një ngarkesë të këtij lloji. Do të ketë të tjerë dhe ndoshta me ngarkesa edhe më të mëdha.
Për momentin, as versioni zyrtar dhe as ai jozyrtar nuk janë paraqitur për arsyen e transferimit të armëve në territorin bjellorus.
Por dyshimet kanë lindur për një rritje të mundshme të armiqësive përgjatë kufirit midis Bjellorusisë dhe Ukrainës, aty ku atmosfera tashmë është mbinxehur prej muajsh dhe jo vetëm për shkak të konfliktit të vazhdueshëm mes Kievit dhe Moskës.
Në muajin shtator Lukashenko njoftoi se kishte vendosur forcat e tij speciale në gjendje gatishmërie në jug të vendit.
Frika e Minskut është ajo e një “provokimi” ukrainas për të cilin Presidenti bjellorus ka thënë se do të përgjigjet menjëherë.
Kievi nga ana e tij ka folur gjithmonë për pretekste nga aleatët kryesorë të Putinit për të justifikuar një hyrje të mundshme të ushtrisë bjelloruse në Ukrainë.
E sigurt është se në këto orë në Bjellorusi nuk ka një atmosferë të mirë.
Ministri i Jashtëm, Vladimir Make, u gjet i vdekur të dielën dhe që atëherë, siç sugjerohet nga disa informacione të dala nga kryeqyteti bjellorus, Lukashenko ka filluar të zëvendësojë kuzhinierët dhe stafin e punësuar në pallatet e pushtetit. Gjithçka pas dyshimeve për helmim të brendshëm dhe sabotim.



