
Katër persona dyshohet të jenë mbytur në liqenin e Gramshit teksa ishin futur për t'u larë pasditen e sotme. Rreth orës 19:00, Salla Operative e Komisariatit të Policisë Gramsh ka marrë një telefonatë se 4 shtetas dyshohet se janë mbytur në Liqenin e Hidrocentralit të Banjës. Menjëherë kanë shkuar shërbimet e policisë, grupi hetimor dhe zjarrëfikësit, ku ka rezultuar se: Në liqenin e Hidrocentralit të Banjës në fshatin Drizë të Gramshit, dyshohet se shtetasit Arben Zogu, rreth 46 vjeç, Ruben Zogu, 19 vjeç, Esti Zogu, 14 vjeç , babai me dy djemtë dhe kushëriri i tyre shtetasi Melsi Zogu, 20 vjeç, sipas deklarimeve të familjarëve janë futur në liqen për tu larë dhe nuk kanë dalë më. Menjëherë në drejtim të liqenit janë nisur polumbarët e Reneas për të bërë të mundur gjetjen dhe nxjerrjen e katër shtetasve nga liqeni. Grupi hetimor ka gjetur në buzë të liqenit dy motoçikleta, tre celularë dhe teshat e trupit. Në drejtimin e Prokurorisë, grupi hetimor vijon punën në vendngjarje për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.



