
Në kuadër të zbatimit të Marrëveshjes për heqjen e çmimeve të shërbimeve roaming për rrjetet publike të komunikimeve të lëvizshme ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, siç njofton për TemaTv, Bordi drejtues i Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare ARKEP, është mbajtur mbledhja e përbashkët me Këshillin Drejtues të AKEP lidhur me procesin e reduktimit të tarifave dhe heqjes së plotë të tyre për shërbimin roaming për qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë sipas kësaj marrëveshje.
Lidhur me këtë u vendos për përfitimet që do të kenë qytetarët e të dy vendeve në lidhje me reduktimin dhe heqjen e plotë të tarifave të shërbimet roaming, e cila do të aplikohet sipas principeve të modelit të aplikuar më parë nga vendet e Bashkimit Evropian “Roam Like At Home (RLAH)”.
Në respektim të plotë të marrëveshjes ndër-shtetërore, të dy palët u pajtuan që procesi i reduktimit të tarifave të fillojë nga data 15 Qershor 2019 fillimisht nëpërmjet aplikimit të modelit “RLAH+”, reduktim i cili do të sjellë efekte pozitive të menjëhershme tek qytetarët e të dy vendeve (nga kur do të ketë zvogëlim rreth 90% nga kostoja aktuale e përdorimit të telefonisë në roaming), dhe në vijim heqjen e plotë të tarifave roaming për qytetarët e dy vendeve, duke filluar nga 1 korriku 2021.
Së këndejmi, u vendos që të obligohen operatorët e telefonisë mobile në Republikën e Kosovës që të zbatojnë regjimin e ri të tarifave të Roamingut, përkatësisht zvoglimin e tyre deri në nivel kombëtar me operatorët nga Republika e Shqipërisë sipas afateve të specifikuara me vendim.



