“Grupi” u kodua një operacion i policisë së Korçës, ku nga hetimet e kryera u identifikuan financuesit dhe organizatorët e kultivimit, prodhimit dhe trafikimit të kanabisit në territorin e fshatit Polovisht, në Maliq, duke vënë në pranga dy persona dhe shpallur në kërkim dy të tjerë.
Dy të shpallurit në kërkim janë organizatorë të trafikimit të lëndëve narkotike në katër raste të mëparshme, të goditura nga policia.
Në cilësinë e provës materiale, pjesëtarëve të grupit iu sekuestruan fenelina policie, pajisje GPS, pajisje gjurmimi, kamera dhe pajisje regjistrimi të fshehta, targa automjetesh, USB, karta memorie, DVR, laptop, dron, kontrata shitblerjeje dhe përdorimi të automjeteve të ndryshme.
Në kuadër të operacionit u kapën dy financuesit e kultivimit të kanabisit, konkretisht shtetasit Leonard Xhemollari, 45 vjeç, banues në Maliq, dhe Gentian Muço, 48 vjeç, banues në Korçë, si dhe u shpallën në kërkim shtetasit Rexhildo Berberi, 42 vjeç, dhe Abedin Guraj, 35 vjeç, banues në Korçë, organizatorë të trafikimit të kanabisit në katër raste të goditura më parë nga Policia:
-Ngjarja e datës 08.06.2025, ku u arrestua në flagrancë shtetasi V. B., që u kap me 6 kg lëndë narkotike të dyshuar heroinë, në PKK Kapështicë;
-Ngjarja e datës 25.04.2024, ku u arrestuan shtetasit K. SH. dhe H. M., të cilët u kapën me një sasi prej 12.5 kg lëndë narkotike, e dyshuar kanabis;
-Ngjarja e datës 23.09.2023, ku u arrestua shtetasi K. K., në qytetin e Pogradecit, me një sasi prej 52.6 kg lëndë narkotike, kanabis;
-Ngjarja e datës 27.11.2023, ku u arrestuan shtetasit L. L. dhe S. P., dhe u kap në shtetin grek një sasi prej 26 kg lëndë narkotike.
Të katër këta shtetas dyshohet se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në fshatin Polovisht–Maliq, kanë kultivuar bimë narkotike dhe e kanë magazinuar në fshatin Voskop, Korçë, ku kryhej procesi i tharjes dhe i përpunimit, dhe më pas do të bëhej transportimi i saj drejt shtetit grek.
Operacioni vijon për identifikimin dhe dokumentimin e përfshirjes së personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje kriminale.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Rixhildo Berberi, të shpallur në kërkim, në katin e parë të banesës u zbulua një ambient i përshtatur për modifikimin e automjeteve.
Ndaj të dyshuarve materialet u referuan në Prokurori për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Trafikimi i narkotikëve”.



