
Analisti Gazmir Raci, për takimin e së hënës në Bruksel mes Albin Kurtit dhe Aleksandr Vuçiç, thotë se tashmë është arritur në fazën finale të pajtimit ose jo mbi një plan konkret të propozuar nga Gjermania dhe Franca dhe që më tej mori bekimin e SHBA dhe gjithë shteteve të BE.
Në një lidhje për studion e lajmeve të MCN Tv, ai tha se shpreson që gjithë këto shtete nëse do ketë një plan të miratuar nga të dyja palët, do të jenë garantuesit e dokumentit.
Në këtë drejtim shtoi se edhe më parë ka pasur marrëveshje me Serbinë, por gjithmonë pala serbe ka tentuar t’i sabotojë dhe se tashmë jemi në një fazë finale edhe prej zhvillimeve gjeopolitike.
Shpresoj që komuniteti ndërkombëtar do të jetë i vendosur për zbatimin në praktikë. Shpresoj që përfshirja e gjithë këtij mekanizmi ndërkombëtar, do të jetë edhe në zbatimin në praktik.
Kishim hezitime nga të dyja palët për ta pranuar në mënyrë definitive, fillimisht kishim një lojë nga ana serbe, ku Presidenti thoshte se janë të gatshëm për të diskutuar kurse ministri i Jashtëm Daçiç, e refuzonte kategorikisht.
Nga ana tjetër pala e Kosovës tha se ka një plan konkret në tavolinë. Ka një vit që diskutohet dhe nuk ka më hapësirë për diskutim, kështu që pritet përgjigje pozitive ose negative.
Personalisht jam që Kosova ti thotë po kësaj marrëveshje, për të kaluar këtë situatë gjeopolitike ku ndodhemi.
Jam skeptik që të ketë një po, duke qenë se në gjashtë muajt e fundit kemi patur debat medial por asnjëherë nuk gjetën forcën të ulen ballë për ballë dhe ti zgjidhin në tryezë gjithë diskutimet.
Në dialog me shtetin serb, gjithmonë është sfidues momenti kur afrohesh për të arritur një dakordësim.
Nëse njeh letërnjoftimet, kemi marrë kodin telefonik shtetëror dhe gjërat e tjera, njohja e vulave, janë këto marrëveshje të dakordësuara në Bruksel, këto janë njohje de fakto nga Serbia.
Kërkohet dhe njohje de juro, pati pretendime se mund ta nxjerrim tani njohjen de juro. Dhe po shihet mundësia që njohja të jetë kur të dyja palët të tentojnë të jenë anëtare të BE.
Departamenti Amerikan i Shtetit tha se Serbia dhe Kosova do ta njohin njëra tjetrën në momentin kur do të bëhen anëtare të BE, tashmë jemi në fazë kritike ku komuniteti ndërkombëtar do ta heqë problemin nga tavolina që të përqendrohet tek Ukraina.
Pyetjes se ku ndryshon marrëveshja gjithëpërfshirëse që përmend Kurti nga marrëveshja bazë që pritet të nënshkruhet në Bruksel, Raci tha se do të jetë një dokument më shumë i shprehjes së vullnetit që të dyja palët u kthyen në dialog dhe mënjanuan deklaratat.
Do jetë më shumë marrëveshje deklarative e zotimeve dhe jo që zgjidh problemet në praktikë.
Do e shtyjë problemin disa vite më shumë, në momentin që të jemi më afër BE, BE ka mekanizmat e saj dhe nëse duam të jemi në BE, duhet të gjejmë zgjidhjen.
Serbia nëse dëshiron një ditë të bëhet anëtare e BE, duhet të heqë gjithë strukturat paralele që ka në Kosovë, strukturat e arsimit dhe shëndetësisë që totalisht kontrollohen nga komuniteti serb.



