
“Shqiptarët janë të dhënë pas historisë së suksesshme të Izraelit dhe janë krenarë, siç duhet të jenë, për historitë e pabesueshme të familjeve shqiptare, myslimane apo të krishtera, që i mbrojtën hebrejtë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kam besimin se kjo miqësi e veçantë do të vijojë edhe në vitet e dekadat që do të vijnë”. Kështu është shprehur në një intervistë për “Albanian Daily News”, ambasadori i Izraelit në vendin tonë, Boaz Rodkin.
Rodkin shprehet se shteti i tij është falënderues nga SHBA-ve për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit. I pyetur nëse pret që Tirana zyrtare t’i bashkohet qëndrimit të SHBA-ve, Rodkin thotë se kryeministri i Izraelit ua ka kërkuar këtë gjë të gjitha vendeve dhe shton se lëvizja e ambasadave nga Tel Avivi në kryeqytetin e ri do të jetë “si të lëvizësh frigoriferin nga dhoma e gjumit në kuzhinë”.
Në lidhje me marrëdhëniet mes dy vendeve parë në këndvështrimin e një viti që po mbyllet, Rodkin thotë se bashkëpunimi ekonomik dhe tregtia po rriten. Ai shprehet se shumë biznese izraelite kanë shprehur dëshirën për të njohur hapësira të reja bashkëpunimi me Shqipërinë. “Reformat e fundit të qeverisë kanë kontribuuar në krijimin e një mjedisi të besueshëm për bizneset. Por ne vijojmë ta vëmë theksin te reforma në sistemin gjyqësor, e cila duhet të zbatohet sa më shpejt. Investitorët e kanë të domosdoshëm besimin te ligji para se të investojnë”, thotë ai.
Ndërsa sa i përket vitit të ardhshëm, ambasadori izraelit flet për një projekt të ri. “Sa i përket 2018-s, ne po shqyrtojmë një iniciativë për të hapur një linjë direkte fluturimesh mes Tel Avivit dhe Tiranës. Nëse kjo arrihet, do të ndikojë në forcimin e lidhjeve mes dy vendeve dhe do të mbështesë rritjen ekonomike të Shqipërisë”, shprehet ai.



