
Franca po vendos trupa në kufirin e saj me Italinë në përgjigje të një fluksi emigrantësh që hyjnë nga vendi fqinj, bën të ditur stacioni radiofonik Europe 1. Një helikopter francez raportohet se po patrullon gjithashtu rajonin kufitar, ndërsa një njësi e posaçme e policisë antiterroriste është parë në zonë, sipas mediave italiane.
Europe 1 bën të ditur se trupat nga regjimenti elitar Alpine Hunters do të vendosen për të patrulluar malet në Luginën Roya. Përveç kësaj, 60 rezervistë policie do të thirren për të përforcuar forcat e sigurisë tashmë të pranishme në zonë.
Departamenti Alpes-Maritimes ka paraqitur një kërkesë për të krijuar një strukturë shtesë mbajtjeje që mund të strehojë përkohësisht deri në 100 emigrantë të ndaluar. Për më tepër, Drejtoria e Përgjithshme Franceze për Sigurinë e Brendshme thuhet se po dërgon personelin e saj për të kryer intervista me individë të kapur duke tentuar kalimin e paligjshëm të kufirit. Europe 1 sugjeroi se kjo masë synon kryesisht të parandalojë hyrjen e terroristëve të mundshëm në Francë.



