
Është liruar pasditen e sotme nga burgu Kastriot Ismailaj i cili ka qenë i akuzuar për përfshirje në çështjen e CEZ-DIA.
Autoritetet e Burgut te Fierit, pasi plotësuan të gjithë dokumentacionin dhe verifikuan afatet e dënimit, vendosën të lirojnë nga burgu biznesmenin e përfshirë në skandalin CEZ-DIA.
Emri i tij u bë i njohur më 12 maj 2015 kur u arrestua nga sektori i pastrimit të parave dhe ai i krimit ekonomik dhe financiar në Policinë e Shtetit për veprën e mashtrimit në shumë të mëdha.
Ai akuzohej se ka krijuar nëpërmjet mashtrimit financiar shoqëri fiktive dhe off-shore në Shqipëri.
Një ndër to edhe DIA, kompani e cila u krijua në vitin 2010.
Ismailaj, biznesmeni i përfshirë në skandalin CEZ-DIA, u dënua me 11 vjet burgim në tetor të vitit 2017 nga Gjykata e Tiranës.
Ismailaj ka qëndruar në paraburgim rreth 2 vjet e 6 muaj që ju llogariten në 3 vjet e 9 muaj. Nga tetori i 2017 deri në mesditën e sotme 7 shtator 2023, ai ka vuajtur pjesën tjetër të dënimit.
Në vitin 2010 ai u propozua nga LSI asokohe, Partia e Lirisë sot, për anëtar te Enti rregullator i Energjisë.
Ndërkohë 7 muaj më parë, në SPAK u paraqit edhe ish-presidenti Ilir Meta për çështjen e CEZ-DIA.
Kastriot Ismailaj u arrestua më 12 Maj 2015 nga Sektori i Pastrimit te Parave dhe ai i Krimit Ekonomik dhe Financiar.
Ismailaj u akuzua për “mashtrim me pasoja të rënda” dhe “pastrim të parave”, vepra këto të kryera në bashkëpunim me persona të tjerë.
Sipas akuzës, Ismailaj duke falsifikuar dokumentet arriti të përvetësojë nga kompania CEZ, rreth 5 milionë Euro për një shërbim të cilin s’e kishte kryer.



