
Kosova është e gatshme për pranimin e qytetarëve që do të evakuohen nga Afganistani, mirëpo koha e saktë e ardhjes së tyre nuk dihet ende.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë në një intervistë për kanalin televiziv britanik, Skynews se autoritetet po presin informacione lidhur me datën e saktë të arritjes së këtyre personave në Kosovë.
Numri i saktë i refugjatëve afganë që do të pranojë Kosova ende nuk dihet, por presidentja Osmani ka deklaruar se po punojnë në zgjerimin e kapaciteteve për të pranuar sa më shumë prej tyre.
Sipas saj, pesë qytetarë kosovarë deri më tani janë evakuuar nga Afganistani dhe Ministria e Jashtme e Kosovës ka vënë në dispozicion linja telefonike për qytetarë të tjerë që mund të kenë nevojë për evakuim nga atje.
Është vetëm çështje ditësh. Do të varet sigurisht në atë sesi do të organizohet transportimi i tyre, sepse procesi organizohet nga Shtetet e Bashkuara. Ne do ta dimë [kohën e ardhjes së tyre] ndoshta deri në fund të kësaj jave. Ne veçse jemi gati t’i pranojmë refugjatët e parë. Tani ne po i rrisim kapacitetet që të mund të pranojmë më shumë [refugjatë]. Prandaj nuk mund të përmend numrin final [të refugjatëve që do të vijnë] derisa të përfundojë studimi i secilit lokacion që mund t’i pranojmë ata në Kosovë.
Qeveria e Shteteve të Bashkuara do të mbulojë të gjitha shpenzimet për afganët që do të strehohen në vende të ndryshme të botës, përfshirë edhe në Kosovë, derisa të përfundojnë procedurat ligjore që ata të vendosen në SHBA.



