Përshkallëzohet tensioni mes Rusisë dhe Ukrainës. Kjo e fundit ka vendosur t’u kufizojë hyrjennë vend shtetasve rusë të moshës 16-60 vjeç.
Ky vendim sipas presidentit Petro Poroshenko ka për qëllim të shmangë formimin e grupimeve ushtarake nga Federata Ruse në territorin e Ukrainës.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Poroshenko në një njoftim në Tuiter.
Mëngjesin e sotëm, Poroshenko u takua me krerët e ushtrisë ukrainase për të dhënë udhëzime në lidhje me këtë vendim.
Stërvitja ushtarake në detin Azov
Ushtarët ukrainas kanë zhvilluar stërvitje në zonën e e detit Azov. Lajmin e bën të ditur zyra e shtypit e Komandës Interforce ukrainase, e cila menaxhon krizën në Donbass. Në njoftim thuhet se "aviacioni ka imituar sulme armiku kundër njësive që mbrojnë bregun e detit". Njësitë në posedim të sistemeve të ndryshme anti-ajrore kryen misionin "me sukses". Qëllimi, sipas zyrës së shtypit, ishte të "përmirësonte menaxhimin e sistemeve në rast sulmi”.
“Nyja” e sanksioneve
Kryeministri i Ukrainës, Volodimir Groysman, bëri thirrje për sanksione më të ashpra nga BE-ja dhe Gjermania kundër Rusisë, pas përshkallëzimit të tensioneve mes Moskës dhe Kievit. "Rusia është një agresor dhe pushtues", i tha Groysman gazetës gjermane “Die Welt”, duke iu referuar incidentit të së dielës në ngushticën Kerç.
Groysman gjithashtu kritikoi Nord Stream 2, projektin e gazsjellësit që lidh Rusinë dhe Gjermaninë, duke pretenduar se e shtyu Evropën drejt varësisë nga Rusia. "Kjo nuk është vetëm e dëmshme për Ukrainën, por për të gjithë kontinentin", tha kryeministri.
Ministri gjerman i ekonomisë Peter Altmaier, megjithatë, paralajmëroi se çështja e Nord Stream 2 nuk duhet të ngatërrohet me tensionet e Krimesë. "Këto janë dy fusha të ndryshme", tha Altmaier, anëtar i partisë së kancelares Angela Merkel.



