Kryeministri Edi Rama ka njoftuar sot finalizimin e projektligjit për krijimin e Bankës Shqiptare të Zhvillimit, ku 250 milionë euro do të jepen si garanci për sipërmarrjet e vogla dhe të mesme në bujqësi.
Lidhur me këtë në një lidhje skype me studion e lajmeve në MCN TV Eduard Sharka u shpreh se deklarata e kryeministrit nuk ka asnjë risi dhe se gjithçka është një manovër elektorale.
Ai tha se fermerët nuk shohin asnjë garanci te premtimet e Ramës dhe se sektori bujqësisë është lënë në harresë duke mos u parë me prioritete. Sipas tij politikat e gabuara të ndjekura në këtë sektor kanë çuar në dështimin e bujqësisë.
Leximi politikisht është se Edi Rama në shkelje të kodit zgjedhor bënë gjithçka në favor të shërbimeve elektorale, një manovër elektorale, ndërsa nga këndvështrimi si ekspert kjo nuk është ndonjë risi kjo nismë e kryeministrit pasi kredia sovrane ka ekzistuar dhe bankave tona të nivelit të dytë nuk është se i kanë munguar mundësitë për të kredituar bujqësinë.
Është deklaratë e përsëritur por asnjë ndërmarrje bujqësore dhe fermer nuk ka përfituar sepse fermerët nuk i plotësojnë kërkesat e bankave të nivelit të dytë, në bujqësi ata nuk shohin garanci për shlyerjen e kredisë. Ky sektor për fat të keq ka qenë target i minikredive dhe me interesa shumë të larta, një goditje e rëndë për fermerët Është një manovër elektorale
I pyetur se cila është nevoja aktuale e sektorit të bujqësisë për mbështetje dhe në çfarë pike janë ato, Sharka tha se bujqësia ka nevojë për ndryshim rrënjësor të politikave të këtij vendi.
Nga 2020 për fat të keq bujqësia është në rënie dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe sepse politikat e ndjekura në këtë sektor duke nisur nga politikat e subvencionimit, fiskale apo mos mbrojtjes së produktit vendas kanë çuar në shpopullimin e popullsisë.
Ne vinim nga një periudhë ku 6 njësi hynin nga importi dhe një dilte nga eksporti. Bujqësia është në vështirësi dhe kërkon ndryshim drastik politikash për ringjalljen e bujqësisë.
Kjo është një fatkeqësi sepse në një vend me pozicionin gjeografik ku ndodhemi me plantacione me agrume që lihen të bien në tokë dhe ne të furnizohemi nga importi është tregues që pasqyron situatën e vështirë ku është bujqësia dhe politikat e gabuara të ndjekura në bujqësi. Djersa e fermerëve tanë shkon dëm.



