Deputeti demokrat, Lefter Gështenja, thotë se demokratët duhet të bëhen bashkë me çdo kusht, për tëhyrë në zgjedhjet e 14 majit. Në studion e MCN Live, Gështenja tha se nuk duhet përsëritur gabimi i 6 marsit, ndërsa hodhi idenë e shfrytëzimit të potencialeve që ofron shoqëria civile.
Grupi parlamentar mblidhet para çdo seance parlamentare. Grupi ku unë bëj pjesë nuk mbështet idenë e asimilimit të njërës pjesë. Diskutimi brenda këtij grupi është që e gjithë opozita duhet të dalë me një kandidat. Nuk është thjesht çështje vetëm e PD. Është më e gjerë. Është çështje e opozitës. Ne kemi autorizuar zotin Bardhi të eksplorojë mundësitë e bashkëpunimit. Ne kemi mundësi, nëse ka vullnet e dëshirë, të gjejmë pika të përbashkëta. Ne anashkalojmë shoqërinë civile, do të ishte hera e parë që opozita shqiptare ta përdorte si kartë fituese. Ne duhet të zgjedhim kandidatë me profil të lartë publik, jo domosdoshmërisht politik.
Gështenja tha se grupi parlamentar i drejtuar nga zoti Alibeaj nuk ka bërë ende analizë mbi strategjinë që do të ndiqet në zgjedhjet lokale të majit.
Nuk kemi bërë analizë, nuk janë bërë sondazhe. PD duhet të jetë në garë në të gjitha bashkitë. Strategjinë se si dhe me kë do të futemi, do ta përcaktojë koha.
Lidhur me darkën e deputetëve demokratë në Pogradec, Gështenja tha se ka qenë një takim i vetëorganizuar.
Doja t’ju korrigjoja, nuk e vërtetë që kam organizuar darkën në Pogradec. Në një nga mbledhjet e organizuara nga grupi parlamentar u ra dakord të organizonim një darkë si grup. Nuk kishte nevojë për ftesa. Ishte mbledhje e fundvitit, ramë dakord për darkë. Pra, ishte e vetorganizuar. Ka qenë një darkë për të qenë të gjithë bashkë si kolegë.



