
Avokati Marash Logu në një lidhje skype me MCN Live ka komentuar mbledhjen e një ditë më parë në Kushtetuese për tri paditë e bëra për tatimet mbi profesionet e lira.
Ai tha se arsyet që na u paraqitën dje ishin vetëm hipotetike dhe se nuk ju dha asnjë shifër konkrete, ndërsa theksoi se paaftësia për të ndaluar evazionin fiskal po paralizon shtresën e mesme.
Sipas tij, përfaqësuesit e qeverisë ishin të paaftë për të argumentuar ligjin e miratuar, prandaj ky ligj duhet shfuqizuar sepse është në kundërshtim me Kushtetutën.

Ditën e djeshme patëm mundësi si grup parlamentar i PD së bashku dhe me disa nga profesionet e lira si avokatët dhe kontabilistët për të paraqitur të gjitha kërkesat tona që konsiderohen si shqetësuese në veprimtarinë e këtyre profesioneve të lira. Patëm mundësinë që t’iu përgjigjemi dhe pyetjeve të trupit gjykues.
Ajo që patëm mundësi të kuptojmë ishte se nuk ka pasur një studim paraprak pse është marrë kjo nismë dhe arsyet kryesore që na u paraqitën dje ishin arsye hipotetike dhe kur pyetëm se sa ishin rastet e evidentuara nga tatimet për evazionet fiskale nuk na u dha asnjë shifër përveç dy tre rasteve na thanë që janë transmetuar në media.
Pra nuk mundet që paaftësia e administratës tatimore për të ndaluar evazionin fiskal të paralizojë 30 mijë profesionistë të lirë që kryejnë punët e tyre në përputhjeje me ligjin.
Më tej ai shtoi se padinë e parë e ka depozituar grupi parlamentar i PD, pastaj kanë qenë kontabilistët dhe më pas avokatët. Sipas tij janë dhe tre kërkesa të tjera në shqyrtim po nga profesionistë të lirë, ndërsa parashtroi dhe pretendimet.
Së pari ndryshimet ligjore sa i përket efektit cenon parimin e sigurisë juridike, pra qytetarët nuk duhet të jetojnë me frikën se nga dita 1 në 2 ligjet mund të ndryshojnë duke prekur gjendjen e tyre ekonomike. Deri në 2023 tatimet për profesionet e lira ishte 0 dhe tani kanw ndryshuar kjo cenon që ata të kryejnë një aktivitet ekonomik dhe të gjenerojnë të ardhura.
Ka një qasje diskriminuese ndaj kësaj shtrese sepse një biznes i vogël tatimi do jetë 0 deri në 1 janar 2030, ndërsa për profesionistët e lirë ka nisur një tatim prej 15%. Argumentet tyre mbeten hipotetike sepse nuk na u dha një shifër i rasteve të evidentuara. Arsye të tjera kanë të bëjnë cenimin e veprimtarisë ekonomike sepse përmes këtij ligji ndërhyhet se si profesionet e lira duhet të ushtrojnë detyrën tyre.
Ky ligj duhet shfuqizuar dhe shpresojmë që në dy javët e para të korrikut të ketë një vendimmarrje. Nga diskutimi i pasur dje dhe faktet e paraqitur besoj se do ketë një vendimmarrje pozitive sepse kjo nuk është çështje e natyrës politike, por është një çështje që mbështet një kategori duke shmangur dhe mbylljen e një sërë aktivitetesh si dhe largimin e profesionistëve nga vendi.



