Sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Basketbollit Franko Bushati tha se në nëntor një basketbollist amerikan pritet t’i bashkohet kombëtares shqiptare të basketbollit.
Duke folur në “Mcn Informacion” ai vuri në dukje se po i kushtohet më shumë rëndësi gjetjes së talenteve shqiptarë që luajnë në kampionatet e huaja.
“Do kemi një ndryshim në Superligë, do kemi dy kampionate, me 6 ekipe në Superligë dhe 6 në ligën e parë. Superkupa sivjet do bëhet para fillimit të kampionatit. Klubet tona, 99 për qind varen nga bashkitë. Në nivelin ndërkombëtar kemi pasur 7 ekipe, 5 medalje, hera e parë për Shqipërinë. U16 u zhvillua në Tiranë, U18 në Elbasan, ku u krijua një atmosferë shumë e mirë. Dy europianë në Shqipëri s’kishte ndodhur asnjëherë, uroj të jetë fillimi. Kemi lojtarë që luajnë në kampionatet italiane, Turqi, Greqi. Tashmë kemi ‘scout’ që gjejmë basketbollistë, më përpara nuk i kishim, na gjenin ne basketbollistët. Në nëntor do të kemi edhe një amerikan. Ka jashtëzakonisht shumë elementë jashtë. Kemi një database me gjithë lojtarët. Kemi arritur një marrëveshje me Federatën Italiane, do kemi një seminar me Ramondinon, që do japë leksion për trajnerët shqiptarë. Një amerikan, nëse burokracia shqiptare do na ndihmojë, në nëntor do vijë me kombëtaren shqiptare. Pritet vetëm dekreti i Presidentit”.
I pyetur se ku çedon çështja e financave, ai tha: “Granti shkon 80 për qind për arbitrat. Sivjet kemi marrë dy projekte të reja nga FIBA, patjetër kemi suportin e Presidentit. Shteti i Kosovës vetëm për ligën unike e financon 500 mijë euro. Ne financojmë klubet që të luajnë në ligën unike”.



