
Eksperti i ekonomisë, Pano Soko, thotë se shkrirja e Albtelecom me One ka krijuar një duopol në tregun e telefonisë celulare. Megjithatë, sipas tij, rreziku është që ky duopol të kthehet në monopol, çka do të rëndojë mbi abonentët.
Roli i AKEP është i munguar në pjesën rregullatorë dhe kontrolluese të pjesës së shërbimit. Nuk e di sa mundësi ka sot AKEP të verifikojë çdo ankesë.
Shkrirja që ka ndodhur mes One dhe Albtelecom më kujton luftën e vezëve. Te kjo histori, ai që goditet më shumë është konsumatori. Unë nuk i trembem kartelit, por më shumë konkurrencës me qëllim asgjësimin e kundërshtarit dhe marrjen e të gjithë tregut. Frika e madhe është se nga duopoli në monopol kalohet shumë kollaj. Një rrezik i tillë është në horizont. Në historinë e ekonomisë nuk ka pasur një duopol që ka zgjatur përjetësisht. Ose është bërë monopol, ose është liberalizuar tregu.
Sipas Sokos, në raste të tilla, për të mbrojtur qytetarin, institucionet shtetërore nënshkruajnë marrëveshje me kompaninë.
Duhej marrëveshje tip. Autoriteti e negocion marrëveshjen në emër të qytetarëve. Këto lloj marrëveshjesh firmosen, por unë e di si qytetar që marrëveshja është parë dhe institucioni ka qenë avokati im në momentin kur e ka pranuar. Ministria duhet të firmosë marrëveshjen kuadër, në këtë rast Ministria e Transportit.
Soko tha se korrupsioni është problemi kryesor në Shqipëri dhe kjo reflektohet edhe te kontratat që shteti nënshkruan me kompanitë private, që ofrojnë shërbimet.
Ka pasur korrupsion dhe është e qartë pse nuk ka reagim. E kuptojnë qytetarët e thjeshtë, si të mos e kuptojnë institucionet. Problemi kryesor është korrupsioni. Fakti që lihen në dorë të lirë të kompanive, janë procese që ne e dimë si ecin. Në fund paguan qytetari. Kjo është markë dalluese në vendin tonë. P.sh. Mbulimi lihet me vetëdeklarim. Pra, ai mund të thotë, unë e kam 100% dhe është në rregull.



