Sot në mengjes MCN TV ka komunikuar në kanalin e Homeland Justice - grupi që pretendon se ka depërtuar në sistemet dixhitale publike të Shqipërisë përmes sulmeve te korrikut dhe shtatorit. Dy ditë më parë ata njoftuan shitjen e databazave të plota të AKSHI-t (850 GB) për një sasi në Bitcoin, ekuivalente me rreth 890 euro.
Një hacker shqiptar, i identifikuar me nofkën Crazy M85, na kontaktoi duke na informuar se HomeLand Justice duhet të jetë një skemë mashtrimi, ose në rastin më të mirë dikush tjetër ka marrë identitetin e tyre dhe po mashtron shqiptarët e interesuar për blerjen e databazave të AKSHI-t dhe/ose të TIMS. Hakeri dha provat e komunikimit me HomeLand Justice si dhe provat e pagesës së plotësuar në bitcoin (çdo transaksion në rrjetin bitcoin është i verifikueshëm). Me këto të dhëna në dorë MCN Tv komunikoi në Telegram me HomeLand Justice, të cilët fillimisht kërkuan provat, por pak më vonë e mbyllën komunikimin duke bërë block.
Mbetet e paqartë çka po ndodh, por padyshim ngjarja e mësipërme hedh dyshime nëse me të vërtetë HomeLand Justice disponon të dhënat që deklaron dhe mund të jemi thjesht përpara një rasti banal mashtrimi në Internet (hoax).
MCN TV



