
Pas nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit mes Fincantieri, KAYO dhe Shkollës Industriale "Pavarësia" në Pashaliman, ish-zëvendëskomandanti i Forcës Detare, Artur Meçollari, shprehu skepticizëm për realizimin e projektit brenda afateve të paralajmëruara nga qeveria.
Në një intervistë për edicionin e lajmeve në MCN TV, Meçollari deklaroi se marrëveshja është ende në fazën fillestare dhe se deklaratat e kryeministrit Edi Rama për "rilindjen" e industrisë detare nuk përputhen me historinë e kantierit të Pashalimanit.
Marrëveshja është në fazën fillestare. Kryeministri e quajti këtë rilindje të kantierit detar, por kjo është një gjysmë e
vërtetë që e thotë ai.
Kantieri nuk po rilind tani, sepse ai ka ekzistuar dhe ka funksionuar për vite me radhë deri në vitin 2014.
Problemi është se nuk po tregohet e gjithë historia e tij.
Sipas tij, ndërtimi i një industrie moderne të ndërtimit të anijeve ushtarake kërkon shumë më tepër kohë sesa është deklaruar.
Të pretendosh se nis nga zero dhe se do të ndërtosh dhjetë anije në katër vjet është një premtim që nuk mbahet.
Vetëm krijimi i kapaciteteve njerëzore dhe ngritja e kantierit kërkojnë vite.
Për të arritur në prodhim të plotë mund të duhen deri në dhjetë vjet. Prandaj them se kryeministri po thotë gjysmë të vërteta dhe gjysmë gënjeshtra.
Meçollari theksoi se kantieri i Pashalimanit ka funksionuar me kapacitet të plotë deri pas vitit 2014 dhe se degradimi i tij ka ndodhur gjatë viteve të fundit.
Në fjalën e tij, kryeministri anashkaloi faktin se kantieri ka ekzistuar dhe ka punuar deri në vitin 2014. Shkatërrimi i tij ka ardhur pas kësaj periudhe dhe kjo histori nuk u përmend.
Uzina e Pashalimanit dikur operonte me kapacitete të plota, ndërsa sot ka mbetur me një numër shumë të kufizuar punonjësish.
Uzina e Pashalimanit ka prodhuar me kapacitet të plotë deri në vitin 2014. Pas kësaj është degraduar dhe sot ka vetëm rreth 35 punonjës.
Unë shoh më shumë entuziazëm politik, një eufori për projektin sesa një bazë reale mbi të cilën ai mund të ndërtohet.



