Kthimin e Kishës së Shën Sofisë në Xhami nga ana e shtetit turk është dënuar së fundmi edhe nga Këshilli i Çështjeve të Jashtme të BE-së. Ishte Josep Burel, përfaqësues i lartë, ai që në emër të institucionit i kërkoi qeverisë turke të ndryshonte vendim.
“Këshilli dënoi vendimet e fundit për shndërrimin e një monumenti të tillë emblematik si Shën Sofia në një xhami. Ky vendim do të sjellë pashmangshëm mosbesim, do të mbjellë mosmarrëveshje në bashkësitë fetare dhe do të minojë përpjekjet tona për dialog dhe bashkëpunim. Ka një mbështetje të gjerë për t’i bërë thirrje autoriteteve turke të rishqyrtojnë dhe rrëzojnë këtë vendim,”- tha përfaqësuesi i Lartë i BE-së Joseph Borel në një deklaratë pas samitit.
“Me kërkesën e Greqisë, pati një konsensus të gjerë për të hartuar një listë të masave të mëtejshme nëse Turqia vazhdon me sjelljen e saj,”-tha Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, duke lënë Këshillin e Çështjeve të Jashtme. Në veçanti, Nikos Dendias deklaroi: “Përshkallëzimi i shkeljeve turke dhe autoritarizmit të Turqisë ishin në qendër të diskutimit tonë. Kishte një dënim të fortë për shndërrimin e Shën Sofisë në një xhami. Edhe Turqisë i është kërkuar të rishqyrtojë dhe të ndryshojë vendimin e saj deklaroi Dendias.”
Për kthimin e Kishës së Shën Sofisë në Xhami, që më herët ka patur statusin e muzeut, ka patur shumë reagime, ndër të cilët edhe vetë Papa Francesku. Gjithsesi ata bënë pak përshtypje për presidentin e Turqisë Regep taip erdogan, i cili deklaroi se këto janë çështje të brendshme të Turqisë dhe se askush nuk duhet të ngatërrohet.



