Stefan Schennach (Austri, SOC), raportuesi i Përgjithshëm i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për lirinë e medias dhe mbrojtjen e gazetarëve, ka ngritur shqetësimin e tij në lidhje me mundësinë e miratimit nga Parlamenti shqiptar të paketës antishpifje.
E kritikuar nga disa organizata ndërkombëtare për lirinë e medias si edhe nga Komisioni i Venecias, kjo nismë ligjore është futur në programin 6-javor të punës së Parlamentit.
Schennach thotë se ky ligj i propozuar nga kryeministri Rama “synon të krijojë një organ administrativ që do të fuqizohet dhe të urdhërojë mediat të heqin raportet e lajmeve mbi çështje të tilla si ‘cenimi i dinjitetit të individëve’. Është e qartë se një ligj i tillë mund të ketë një efekt tronditës mbi lirinë e medias për shkak të kushteve të tij të gjera”.
Ai thotë se duke iu referuar edhe opinionit të Komisionit të Venecias, i cili shprehet qartë se ligji është i paqartë dhe ka të ngjarë të ketë efekt në shtypjen e fjalës së lirë, kjo nismë ka nevojë për rishikim.
“Prandaj, unë nxis parlamentin shqiptar të heqë dorë nga propozimet aktuale dhe të rifillojë të gjithë procesin”, thotë ai.
Në javët e ardhshme, Parlamenti pritet të shqyrtojë dekretin e Presidentit të Republikës, i cili ktheu për shqyrtim projekt- ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”. Ndërsa për dekretin e 13 janarit pritet një votim, në komisionin parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik është ngritur grup pune për opinionet e ardhura nga Komisioni i Venecias lidhur me këtë paketë.
Kreu i shtetit reagoi sërish sot në lidhje me këtë paketë pas deklaratës së raportuesit të PE-së. Meta i kërkon maxhorancës të reflektojë reflektim mbi këtë çështje.
“Duhet reflektuar sa më parë! Çdo kokëfortësi, jo vetëm që nuk i shërben çeljes së negociatave, por nuk do të frikësojë askënd. Përkundrazi!”, shprehet Meta.



