
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, zhvilloi dje një vizitë zyrtare në Vatikan.
Kreu i Shtetit u prit në një audiencë nga Papa Leone XIV në Pallatin Apostolik, ku zhvilloi një bisedë të përzemërt me Atin e Shenjtë.
Gjatë takimit u vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira mes Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë, si edhe u diskutua mbi procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe kontributin e vendit tonë për paqen dhe stabilitetin në rajon.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua çështjes së besimit dhe persekutimit të klerikëve dhe besimtarëve të krishterë gjatë regjimit komunist në Shqipëri.
“Shqipëria ka vuajtur në mënyrë të tmerrshme nga ndalimi i besimit gjatë regjimit komunist”, theksoi Presidenti Begaj.
Kreu i Shtetit u shpreh se, si në periudhën e komunizmit ashtu edhe në shekuj më të hershëm, shqiptarët e kanë ruajtur besimin në Zot në shpirtin e tyre dhe e kanë ushtruar atë me qëndresë, deri në martirizim.
Presidenti Begaj ftoi Papa Leonen XIV për të zhvilluar një vizitë në Shqipëri, duke theksuar rëndësinë që ka për vendin tonë një vizitë e tillë.
Presidenti i Republikës zhvilloi, gjithashtu, një takim me Kardinalin Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit, ku u diskutuan zhvillimet ndërkombëtare me vëmendje të veçantë për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.
Gjithashtu, në takim u diskutua dhe për Kosovën dhe zgjidhjen nëpërmjet dialogut dhe bashkëpunimit të çështjeve të hapura në rajon, si dhe rëndësinë e integrimit në BE të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor.



