
Gazetari Armir Shkurti, i ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN, deklaroi se aktualisht ekziston një grup nismëtar pune që po harton rregullat dhe standardet e organizimit të “Kuvendit Qytetar”.
Sipas tij, ideja për një përfaqësim qytetar ka lindur nga vetë protestuesit, ndërsa theksoi se procesi duhet të ndërtohet mbi kontributin e atyre që kanë qenë aktivë në protestë dhe jo të shndërrohet në objekt manipulimi apo përvetësimi nga interesa të tjera.
"Ideja për një organizim është qytetare. Të gjithë që janë aty pyesin: 'Kemi nevojë për organizim, kush na drejton?'. Ka një frikë dhe mosbesim të madh, gjë krejt normale, pasi përvojat e mëparshme me kuvende, kongrese apo revolta kanë lënë pasoja. Siç thuhet, revolucionet idealiste shpesh i shijojnë batakçinjtë, ndaj njerëzit kanë frikë.
Por ideja e Kuvendit nuk i përket një njeriu të vetëm. Ajo është ideja e një grumbullimi dhe përfaqësimi që ka lindur nga shumë njerëz. Pyetja nuk është nëse do të bëhet, por si do të organizohet.
Sot nuk ka ende një Kuvend. Ka vetëm një grup pune, i cili po harton rregullat dhe standardet e organizimit. Ky grup është ende në fazën e punës dhe nuk përfaqëson Kuvendin.
Një nga parimet është që ata që kanë qenë pjesë aktive e protestës të kenë një rol të veçantë në këtë proces. Megjithatë, Kuvendi synon të jetë gjithëpërfshirës dhe të përfshijë të gjithë përmes diskutimeve, negociatave dhe ideve.
Ky është vetëm një grup nismëtar. Vetë nisma ka lindur nga njerëzit dhe edhe ata që e kundërshtojnë e pranojnë si ide. Prandaj duhet kuptuar se ende nuk ekziston një Kuvend, por vetëm një proces për krijimin e tij."



