Prej një viti familja Nanxa nga Vlora jeton në tunel. Ajo përbëhet nga gjashtë antarë, dy prej të cilëve janë të sëmurë. Djali i madh vuan nga probleme të shëndetit mendor dhe nipi i tij ka lindur me vrimë në zemër. Sipas kryefamiljares, Dhurata Nanxa ata kanë jetuar tek ish- pallati i oficerave, por bashkia prej një viti i ka nxjerrë nga aty duke i strehuar tek tunelet ushtarake.
”Kemi një vit që jetojmë këtu dhe na ka sjellë bashkia. Ne kemi ndenjur te ish- pallati i oficerave, te bashkia na thanë futuni atje te tuneli. Ne nga turpi që mos të rrinim në rrugë fare, nga e keqja erdhëm dhe u futëm këtu. Na thanë për pak kohë do qëndroni, sa të mbaronte pallati te ish-frigoriferi. Bëmë dokumentat. Në fillim të janarit thonë që do ndahen hyrjet me një kredi të butë pse mos të marr dhe unë një hyrje atje, po i ndajnë sipas interesave të tyre ? ”
Nanx Nanxi, është i vetmi që punon në një pikë grumbullimi metalesh. Të ardhurat e tij janë 300 mijë lekë në muaj, pa sigurime. Brenga më e madhe e tij është djali tre vjeçar me vrimë në zemër, i cili jeton në tunel.
Xhadat u interesua pranë Bashkisë Vlorë për të kuptuar se cila është arsyeja që kjo familje prej një viti jeton në tunel. Drejtori i Shërbimeve të Bashkisë Vlorë, Zambak Selmani thotë se gjetja e një banese me qira është e vështirë, pasi familja merret me grumbullimin metalesh.
“Zonja nuk e ka gjetur shtëpinë, unë jam përpjekur dhe nuk e kam gjetur. Bonusi i qirasë që të strehohet zonja është ta gjejë vetë zonja banesën. I kam thënë gjejeni ju, po përpiqem dhe unë”.
Por kryefamiljarja kërkon nga Bashkia si zgjidhje të përhershme banesë të cilën të mundet ta paguajë në formën e një kredie të butë. Në lidhje me këtë , Bashkia Vlorë thotë se familja nuk i përmbush kriteret.
Vajza 6 -vjeçare e familjes Nanxa në këto ditë të ftohta dimri bën apel për një banesë.
“Dua një shtëpi të ngrohtë për mua dhe për vëllain pasi këtu është shumë ftohtë, thotë Herolinda.



