
Mbretëria e Bashkuar do t’i sigurojë Ukrainës pajisje ushtarake me vlerë 273 milionë euro, përfshirë drone, sisteme të mbrojtjes ajrore dhe municione, njoftoi Ministria Britanike e Mbrojtjes në një njoftim për shtyp.
Njoftimi vjen një ditë pas vizitës së Sekretarit Britanik të Mbrojtjes John Healey në Kiev, ku ai u takua me homologun e tij Rustem Umerov dhe u zotua të rrisë mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar për Ukrainën në vitin 2025.
“Tre vjet pas vendimit të presidentit rus Vladimir Putin për të pushtuar Ukrainën, shkalla e llogaritjes së tij të gabuar është më e qartë se kurrë, pasi populli i guximshëm ukrainas vazhdon të sfidojë të gjitha pengesat me energjinë e tij të pathyeshme. Por ata nuk mund ta bëjnë atë vetëm, mbështetja për Kievin është e palëkundur”, tha John Healey në deklaratë.

Gjatë vizitës së tij në Kiev, John Healey u zotua gjithashtu të vazhdojë trajnimin e ushtarëve ukrainas nga Mbretërinë e Bashkuar, të forcojë bashkëpunimin industrial të mbrojtjes dhe të rrisë presionin dhe sanksionet kundër Rusisë.
Ministri dhe homologu i tij Rustem Umerov gjithashtu ekzaminuan rezultatet e përdorimit të raketave Storm Shadow, të furnizuara nga Londra, tha ministri ukrainas në një deklaratë, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Në nëntor, Kievi mori dritën jeshile nga Londra për të lëshuar raketa Storm Shadow në territorin rus.



