Ish-ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Islam Lauka duke folur në edicionin e lajmeve në MCN TV u shpreh skeptik për arritjen e një armëpushimi mes Rusisë dhe Ukrainës, duke marrë parasysh faktin që Putini është një aktor i vështirë në bisedime.
Vetë ulja në bisedime është një akt që duhet përshëndetur sepse konflikti është konflikt, ka gjakderdhje, vrasje, goditjet e qyteteve. Jam skeptik që mund të arrihet një armëpushim, aq më tepër shpejt. Putini është një aktor i vështirë, i paparashikueshëm dhe nuk heq dorë nga objektivat e tij strategjikë. Objektivat janë konkretizuar në mos anëtarësimin e Ukrainës, në mos zgjerimin e NATO-së, dhe rivendosjen e ndikimit rus jo vetëm në ish-hapësirën sovjetike por edhe Evropën Lindore, që dikur ka qenë në Traktatin e Varshavës. Ai e pa që në ecejaket e pafundme diplomatike, ai e pa që Perëndimi s’është shumë i vendosur, nuk po jep atë që priste dhe u hodh në agresion të hapur. Duke njohur natyrën e Putinit dhe të Rusisë, jemi këtu edhe për shkak të qëndrimit të butë perëndimor. Efekti më pozitiv do jetë në kthjellimin e Evropës Perëndimore dhe Amerikës në kuptimin e natyrës së Putinit dhe marrjen e masave efektive”, tha Lauka.
Teksa u ndal tek mundësia e anëtarësimit të Ukrainës në BE dhe deklaratat e von der Leyen, Lauka tha:
Në këtë moment deklaratat janë mbështetëse, por nga e thëna në të bërë shkon në mes një lumë i tërë. Mina me sahat që ka Putini në Ukrainë janë pikërisht pakicat ruse. Jo më kot pak ditë para sulmit njohu dy republika të pavarura dhe nënshkroi traktatet e miqësisë dhe ndihmës. Kjo është taktika e Putinit që ndryshon faktet në terren, dhe pastaj thotë hajde ulemi në bisedime në kushtet e mia”.
Ish-ambasadori u ndal edhe në Ballkan duke u shprehur se Vuçiçit s’i interesojnë deklaratat e Putinit që paralelizon Kosovën me rajonet që u njohën si të pavarura në Lindje të Ukrainës.
Ky është një akt që sjell lëvizje tektonike në politikën globale dhe ballkanike. Serbisë po i kërkohet nga BE që të përcaktohet në qëndrimet e saj. Putini argumentoi Kosovën dhe pavarësinë e saj me njohjen e këtyre republikave, por kjo i shkon në dëm Vuçiçit. Republika Serbe është një ndër hallkat më problematike në Ballkan. Sepse kemi Dodikun të lidhur me Putinin, sepse vetëm t’ia bëjë me sy ai andej dhe mund të shkëputet. Mendoj qe Vuçiçi sapo të kryejë zgjedhjet nuk mendoj që do jetë i qartë në qëndrim. Rusia në Serbi ka shumë ndikim dhe humbet shumë votues”, tha ai.



