Për avokatin Kujtim Cakrani, kryetari i ri i KPP-së, Ismail Shehu është një person që nuk ka integritetin e duhur për ta bërë këtë institucion të besueshëm.
Përmes një lidhjeje të drejtpërdrejtë me studion e MCN Live Cakrani thja se Shehu është vartës i Manjës dhe me shumë gjasë personi që do mbyllë sytë kur të shohë shkelje korruptive.
Fakti që zgjidhet aty një vartës i ish-ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja është luftë klanesh.
Edhe klanet brenda pushtetit do kërkonin të kishin njerëzit e tyre në këtë 5-she. Manja është një nga njerëzit më të fuqishëm dhe mendoj se ka fituar ai dhe do të fitonte për nga fuqia që ushtron në PS dhe nga fuqia që ka vetëm partia.
Problemi qëndron që ky institucion a ka standard të lartë ndershmërie? A është komision që ka treguar këto vite paanësi, apo vlera sa i përket zbatimit të ligjit?
Nga ky komision nuk kemi parë asnjëherë të vetme t’i drejtohet SPAK për një shkelje të vetme që ka vërejtur gjatë punës që kanë pasur ministritë në përzgjedhjet e kompanive që kanë fituar tendera. Është institucion me dritëhije. Po them çfarë kemi konstatuar ne që jemi apolitike.
Rasti i AKSHI-t është më flagranti dhe është rasti që ky komision dhe anëtarët e tij mendoj se nuk duhet të ishin më jo vetëm në komision por as në ushtrimin e ndonjë funksioni tjetër publik.
Zgjedhja e zotërisë që ka qenë vartës i Manjës është perfekte për të vazhduar punën, për të favorizuar dhe mbyllur sytë kur shohin shkelje korruptive dhe për të mos i denoncuar në SPAK.
Zotëria që është zgjedhur nuk është i pavarur, nuk ka integritetin e duhur për ta bërë atë institucion të besueshëm. Ai institucion e ka humbur besueshmërinë tek publiku. Prandaj nuk kam pritshmëri të mira.



