“Qeveria të ndërhyjë te stoku i grurit”, Sharka: Lajm i keq pezullimi i fondeve të BE, do ndikojë edhe në projekte të tjera

“Qeveria të ndërhyjë te stoku i grurit”, Sharka: Lajm i keq pezullimi i fondeve të BE, do ndikojë edhe në projekte të tjera

Eksperti i Bujqësisë Eduart Sharka tha në edicionin e lajmeve në MCN TV se gjendja e fermerëve është e rëndë, pasi kanë një stok të grurit, për të cilin duhet të ndërhyjë qeveria me qëllim thithjen e stokut të prodhimit. Po ashtu ai konsideroi një lajm shumë të keq pezullimin e fondeve nga BE, duke u shprehur se institucionet shqiptare kanë humbur kredibilitetin, dhe masa e marrë do të ndikojë edhe në financimet e projekteve të tjera përmes IPA-s. Lidhur me prodhimin e shalqirit, Sharka tha: “Sivjet s’ka qenë prodhim i mbarë sepse rendimenti ka qenë i ulët, nga faktorët klimatikë, por çmimi ka qenë i mirë dhe fermerët kanë pasur disi të ardhura. Është një produkt i mirë për Myzeqenë shalqiri, futet në tregjet e rajonit me përparësi dhe siguron të ardhura për fermerin. Pas dy viteve të dobëta këtë vit fermerët ndihen disi të kënaqur, por ka shumë për të bërë për të kthyer një vazhdimësi në të ardhurat e fermerëve që të mos braktisin bujqësinë”. I ndalur te stoku i grurit, ai u shpreh: “Për grurin është një problem shumë i madh këtë vit. Sivjet jemi përballë këtij rasti, kur nga mungesa e vitit të kaluar, të bllokimit të eksporteve të grurit, dhe subvencionimit nga skemat e AZHBR, pati shtim të sipërfaqes, dhe tashmë ka shumë fermerë që e kanë grurin stok dhe nuk e shesin, çmimi 27-28 lekë është nën kosto. Duhet ndërhyrja e qeverisë për ta thithur stokun e prodhimit, për të mos i demoralizuar fermerët që të mos mbjellin vitin tjetër. Gjendja është shumë e rëndë për shumë fermerë. E kanë stok, nuk dinë ku ta çojnë. Këtu duhet ndërhyrja e qeverisë. I bëj thirrje që të ndërhyjë. Është një produkt me rëndësi jetike në kontekstin e sigurisë kombëtare. Duhen stimuluar fermerët dhe jo të lihen në mëshirën e fatit”. Duke folur mbi pezullimin e fondeve IPARD nga BE, Sharka tha: “Që të aplikosh për fondet IPARD, nuk duhet nipti i fermerit por i biznesmenit, që janë të pajisur me nipt tregtar. Fermerët, 75 mijë të pajisur me nipt, dhe 100 mijë informalë, nuk kanë pasur shanse të aplikojnë dhe të përfitojnë nga fondet IPARD. Lajmi për pezullimin e fondeve nga Komisioni Europian është një lajm shumë i keq për bujqësinë, ekonominë shqiptare, dhe shteti në tërësi. Shumica e komenteve të fermerëve në rrjetet sociale thonë mirë bën që i bllokuan sepse nuk kemi shpresë të përfitojmë nga këto fonde. Por këto fonde ishin të domosdoshme, pavarësisht se nuk shkonin te fermerët e vegjël dhe të mesëm, sepse shkonin te ferma të organizuara, dhe ishin i vetmi investim që shkonin në infrastrukturën e bujqësisë. Humbja e këtyre fondeve dhe rreziku për të humbur IPARD 3, dhe për të kthyer mbrapsht disa fonde të IPARD 2, që janë të disbursuara, është një lajm shumë i keq. Ky vendim i KE është një humbje kredibiliteti për institucionet shqiptare. Në momentin që ka dështuar auditi i brendshëm i AZHBR, Komiteti i Mbikëqyrjes, auditi i jashtëm, që kanë bërë raporte për fondet. Në momentin kur zyra e OLAF ka gjetur shkelje, kanë humbur kredibilitetin të gjitha këto institucione, do ketë pasoja edhe në financimin e projekteve të tjera që BE bën nëpërmjet fondeve IPA”. Ai shtoi se regjistri i tokës bujqësore nuk ka asnjë ndikim në formalizimin e sektorit. “Ai regjistër s’ka asnjë ndikim në formalizim. Sektori është në kuotën 80 për qind informal. Një nga shkaqet kryesore të këtij informale është vet qeveria me një gafë që ka bërë në zbatimin e ligjit për TVSH-në”, tha eksperti i bujqësisë.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy