Një nga figurat më të larta të aparatit të sigurisë gjermane është arrestuar nën dyshimin për spiunazh, marrje të sekreteve shtetërore dhe tentativë për tradhti. Bëhet fjalë për 80-vjeçarin August Hanning, ish-drejtuesin e shërbimit të jashtëm gjerman të inteligjencës, BND.
Prokurorët federalë dyshojnë se, duke nisur nga viti 2010, Hanning kishte një marrëveshje me një ish-punonjës të BND-së, i cili i siguronte informacione konfidenciale në këmbim të parave. Sipas hetuesve, përgjatë viteve Hanning mori rreth 2 mijë dokumente, shumë prej tyre të klasifikuara dhe të destinuara vetëm për përdorim të brendshëm nga shërbimi gjerman i inteligjencës.
Akuza më e rëndë është se Hanning përdori një pjesë të këtij informacioni për të përgatitur një analizë për një oficer të një shërbimi të huaj inteligjence. Nuk dihet ende se cilit shtet i përkiste shërbimi i huaj për të cilin Hanning përgatiti analizën.
I arrestuar është edhe ish-punonjësi i BND-së, i identifikuar si Manfred D. Sipas prokurorëve, ai kishte pasur akses të vazhdueshëm në informacione sekrete, pasi edhe pas largimit të Hanningut vazhdoi të punonte në poste drejtuese brenda BND-së deri në vitin 2026.
Hetimi nisi pas një tjetër çështjeje penale. Gjatë kontrollit të banesës së Hanningut, në kuadër të hetimit për rrëmbimin e fëmijëve të një biznesmeneje të njohur gjermane, autoritetet gjetën materiale që ngritën dyshimet për zotërimin e dokumenteve sekrete të BND-së. Hanning i mohon akuzat lidhur me çështjen e rrëmbimit.



