Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi ndryshimin e zonave të administrimit zgjedhor për Kuvendin e datës 25 prill 2021. Me këtë vendim, nga 90 zona zgjedhore që kanë qenë në zgjedhjet e mëparshme, tashmë do të jenë 92 ZAZ.
Referuar të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile për numrin e shtetasve me të drejtë vote dhe kritereve për ngritjen e ZAZ-ve, lindi nevoja për ndryshimin e Zonave të Administrimit Zgjedhor, pasi numri i shtetasve me të drejtë vote në ZAZ nr. 58 të Bashkisë Fier si dhe në ZAZ nr. 64 të Bashkisë Berat, e kalon kufirin e përcaktuar nga Kodi Zgjedhor.
“Janë 50 bashki që kanë më pak se 80 mijë shtetas me të drejtë vote, janë 9 bashki që kanë më shumë se 80 mijë zgjedhës por në këto bashki ekziston ndarja e zonave të administrimit zgjedhor, për bashkinë Berat dhe Fier rezulton më shumë se 80 mijë dhe propozojmë që për këto dy bashki të bëhet ndarja në dy zona të administrimit të zgjedhjeve sipas kritereve që ligji i ka përcaktuar” , tha kryekomisioneri Ilirjan Celibashi.
Numërtimi i ZAZ do të bëhet me anë të një numri dy shifror duke filluar me 01, duke siguruar përputhshmëri të numërtimit unik kombëtar të zonave të qendrave të votimit me numërtimin e ZAZ-ve, ku ZAZ-ja nr. 01 duhet të përmbajë zonat me numërtim fillestar të qendrave të votimit, e në vijim.
Për zgjedhjet për Kuvend të datës 25 prill 2021, 50 bashki që kanë më pak se 80 mijë shtetas me të drejtë vote përbëhen nga një (1) ZAZ, ndërsa 11 bashki që kanë më shumë se 80 mijës shtetas me të drejtë vote përbëhen nga më shumë se një (1) ZAZ.
Ndarja e zonave për administrimin zgjedhor u miratua me 5 vota pro nga Komisioni Rregullator.



