
Ndërkohë që Rusia vijon të sulmojë Ukrainën, duke shkaktuar edhe viktima, presidenti francez Emmanuel Macron mendon të përfaqësojë Evropën në negociatat me presidentin rus Vladimir Putin për të vendosur paqen në këtë rajon.
Sipas mediave britanike, lidëret evropianë janë të vendosur për tu ulur në tryezën bisedimeve me presidentin rus Vladimir Putin. Mediat britanike shkruajnë se Macron dhe kryeministri britanik Keir Starmer mund të jenë negociatorët që do të flasin me ekipin e Moskës, edhe pse Starmer nuk e ka konfirmuar një gjë të tillë.
Ndërsa një burim nga Elysee tha se Macron ishte gati të merrte detyrën "kur të vijë koha".
Edhe pse përpjekjet për paqe vazhdojnë, raketat ruse kanë goditur një lagje banimi në qytetin qendror të Ukrainës, Kryvyi Rih, duke vrarë të paktën 14 persona, përfshirë gjashtë fëmijë dhe duke plagosur 60 të tjerë.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, denoncoi sulmet dhe shprehu ngushëllimet për familjet e të vdekurve dhe të plagosurve.
"Operacioni i shpëtimit vazhdon. Të paktën pesë ndërtesa janë dëmtuar. Çdo ditë ka sulme nga Rusia, çdo ditë ka viktima. Ekziston vetëm një arsye: Rusia nuk dëshiron një armëpushim dhe ne e shohim këtë.
E gjithë bota e sheh këtë. Çdo raketë, çdo dron sulmues dëshmon se Rusia dëshiron vetëm luftë. Dhe vetëm përmes presionit global ndaj Rusisë, përmes të gjitha përpjekjeve për të forcuar Ukrainën, mbrojtjen tonë ajrore dhe forcat tona, vetëm përmes kësaj lufta do të përfundojë.", tha Zelensky.
Shtetet e Bashkuara kanë deklaruara se kanë rënë dakord me Rusinë dhe Ukrainën për ndaljen e sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike të njëra-tjetrës. Megjithatë, edhe nga aksionet në terren, të dyja palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkelje të marrëveshjes.



