
Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, doli sot në mesditë para mediave në lidhje me vënien para drejtësisë të të shumëkërkuarit Klement Balili. Lleshaj e cilësoi dorëzimin e Balilajt një sukses të policisë shqiptare dhe bashkëpunimit të saj me partnerët ndërkombëtarë.
“Nga sot, drejtësia merr në duart e saj njërin prej personave më të kërkuar në Shqipëri dhe përtej saj, ndërsa qytetarët dhe partnerët marrin një mesazh të fortë për Shqipërinë që duam. Arrestimi i sotëm tregon se policia është në një nivel të ri gatishmërie. Ky moment shënon një kapërcim historik në mendësi dhe aftësinë goditëse. Forca goditëse e ligjit do të njohë rritje. Rruga e vetme e arsyeshme për të gjithë ata që janë vënë përballë ligjit është vetëm bashkëpunimi me drejtësinë”, tha ai.
Lidhur me mënyrën se si u arrit që Balilaj të dorëzohej pas më shumë se dy vitesh arrati, Lleshaj tha se kjo ka ardhur si pasojë e një operacioni të kordinuar me partnerë ndërkombëtarë.
“Operacione të tilla kurrë nuk mund të jenë një udhëtim vullnetar. Është rezultat i një operacioni të thellë me partnerët që kanë mundësuar dorëzimin e tij”, tha ai.



