
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmon në detyrë Arben Dostin, gjyqtar pranë Gjykatës së rrethit Gjirokastër.
Subjekti i rivlerësimit Arben Dosti, Gjyqtar pranë Gjykatës së rrethit Gjirokastër u përball me Vetingun me 25 nëntor për tre kriteret e vlerësimit, ligjshmërinë e pasurisë dhe kriterin etik dhe profesional.
KPK i kishte kaluar barrën e provës gjyqtarit Arben Dosti të provojë 36.4 milionë lekë të ardhura të padokumentuara, për të cilat subjekti pretendon se i ka kursyer nga emigracioni në Greqi, nga bashkëpunimi me një shoqëri tregtare, si dhe nga shitja e një lokali në pronësi të nënës.
Trupa gjykuese e përbërë nga Genta Tafa (Bungo), Brunilda Bekteshi, Pamela Qirko pasi analizoi provat dhe fakte vendosi sot konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit Arben Dosti, gjyqtar pranë Gjykatës së rrethit Gjirokastër.
Arben Dosti, gjyqtar pranë Gjykatës së rrethit Gjirokastër përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2013 dhe prej asaj kohe e ushtron funksionin në Gjykatën e Rrethit Gjirokastër.



