Avokati Kujtim Cakrani, i ftuar në emisionin ‘MCN Live’, ka komentuar zhvillimet lidhur me hetimet për dosjen e AKSHI-t, si dhe akuzat që janë bërë publike për mënyrën e funksionimit të institucionit dhe tenderat e tij.
Sipas Cakranit, hetimet janë në zhvillim dhe pritet që prokuroria të intensifikojë veprimet procedurale, duke marrë në pyetje persona të përfshirë dhe duke vijuar me verifikimet përkatëse. Ai theksoi se çështja është ende në fazë hetimore dhe nuk ka përfundime të shpallura.
Duke komentuar situatën institucionale, Cakrani u shpreh kritik për gjendjen e godinës së AKSHI-t, duke e cilësuar paraqitjen e saj “skandaloze”, ndërsa e përdori këtë si metaforë për mënyrën e funksionimit të brendshëm të institucionit.
Në deklaratën e tij, ai ngriti gjithashtu akuza politike, duke pretenduar se përgjegjësia për situatën bie mbi drejtuesit e lartë të qeverisë.
Godina që ka dhënë miliarda euro në tendera është duke u rrëzuar për vete nga suvaja, turp. Kjo është fytyra dhe forma e atyre që kanë punuar aty brenda, skandaloze.
Godina e AKSHI-t skandaloze nga paraqitja. Sa i përket ecurisë së çështjes, ajo është çështje e regjistruar, ka disa persona me masa sigurie, ka afate procedurale që përfundojnë dhe normalisht prokuroria i intensifikon personat që do të pyesë, vazhdon me hetimet çdo ditë, sepse afatet nuk të lejojnë që të mbahet pa fund në hetim dhe në fund do shohim përfundimin e hetimeve.
Jam kundër asaj se mendoj që nëse qytetarët votojnë, votojnë Edi Ramën, dhe nëse ka përgjegjësi për një drejtues institucioni është Edi Rama dhe ata të jashtmit që vijnë aty është tjetër gjë.
Problemi këtu, Ergys Agasi dhe të tjerët gjejnë hapësirën, por Kryeministri e di shumë mirë që ai institucion aty kontrollohet nga mafia. Pra Rama e dinte që AKSHI kontrollohej nga Agasi.
Përgjegjës për çdo gjë është Kryeministri, sepse ai i zgjedh ata që punojnë. Akuza më e rëndë që ka pasur kjo zonjë Karçanaj është grup i strukturuar kriminal. Përgjegjës për skandalin e AKSHI-t është Rama.



