Avokati Alban Duraj tha në edicionin e lajmeve në MCN TV se ka ardhur koha për legalizimin e prostitucionit në Shqipëri. Duraj theksoi se legalizimi do të zhdukë aktivitetin kriminal nga organizatat kriminale që shfrytëzojnë vakumin ligjor dhe që merren me trafikimin e qenieve njerëzore. Sipas avokatit legalizimi do sjellë të ardhura ekonomike për punonjëset e seksit, shtetin, dhe aktiviteti do jetë i kontrolluar.
“Mendoj se ka ardhur koha për legalizimin e prostitucionit. Kemi vajza që shfrytëzohen ilegalisht nga organizata kriminale që merren me trafikimin e qenieve njerëzore. Në praktikën europiane, kemi vende si Gjermania, Austria, Holanda dhe Belgjika, vendet nordike ku kemi model tjetër por jo ndjekje penale, kemi zgjidhje ligjore që kanë ardhur si nevojë e evolimit të shoqërisë. Duke marrë në konsideratë përshtatjen e legjislacionit tonë me atë të BE-së, ku shumë shpejt do jemi vend anëtar, mendoj që ka ardhur koha.
Mendoj edhe kjo si parashikim, duhet të merret në konsideratë që t’i japë mundësi kufizimit, apo zhdukjes së aktivitetit kriminal, nga organizatat kriminale, që shfrytëzojnë vakumin ligjor duke shfrytëzuar këto vajza. Në këtë kod kemi thjesht dënimin e atyre që e ushtrojnë profesionin, prostitutave, vetëm me dënim me gjobë. Kemi një disfavor për ata që quhen klientë, ku kemi parashikim ligjor me gjobë, ose me burgim nga 6 muaj deri në 3 vite burg.
Nuk kemi trajtim të barabartë të qytetarëve që kryejnë këtë vepër penale, ku e quajmë vepër penale për klientët, ndërsa për sa i përket atyre që e ushtrojnë kemi vetëm dënim me gjobë. Ka ardhur koha të hapet një debat publik, me grupet e interesit, specialistët, ekspertët e fushës, për të marrë në konsideratë edhe mendimin e qytetarëve, duke marrë parasysh se jemi shoqëri tradicionale, ku janë tabu diskutimet për çështjet e seksit dhe liberalizimit.
Duke u nisur që jemi destinacion turistik. Një turist mund të frekuentojë ndonjë që ofron këtë shërbim, pa njohuri juridike, ai do përballet me dënim penal që do t’i kushtojë shumë. Jemi në kohë për ta hapur diskutimin. Legalizimi i prostitucionit do ta ndihmonte shumë Shqipërinë. Do ishim vendi i dytë pas Greqisë.
Duhet të bëhemi konkurrues edhe sa i përket këtij shërbimi. Do jetë fitimprurëse edhe për shtetin vet. Do ketë të ardhura ekonomike, do jetë e kontrolluar, do jetë e regjistruar, do kemi përfitim nga shteti sepse do ketë taksim për çdo fitim të kompanisë. Më e rëndësishmja është zhdukja e trafiqeve për trafikun seksual”.



