Në Zululandin e sotëm ishte i ftuar Mentor Nazarko për të folur për ndarjen e madhe që ka provokuar vizita e kryeministrit Rama mes gazetarëve të Prishtinës e të Tiranës. Në mënyrë të paprecedentë (ndonëse Nazarko përmendi precedentin që u krijua me rastin “Rashica”) janë bërë bashkë gazetarë të Prishtinës që në rrethana të tjera nuk para bëhen bashkë. Po kështu ka ndodhur edhe në Tiranë. Një numër gazetarësh që nuk shquhen për ndonjë mirëkuptim mes tyre, apo për ndonjë solidaritet me Ramën, janë vënë në mbrojtje të asaj që ka bërë kryeministri Rama në Serbi. Nazarko mendon se nuk ka kuptim të flitet për patriotizëm kosovar, por në këtë pikë Nano kishte një ide të kundërt. “Atje ka një realitet të caktuar politik e shtetëror e ky realitet nxit vetvetiu pasionin për të mbrojtur ca interesa publike, mbi bazën e të cilave mund të përkufizohet patriotizmi kosovar”, tha Nano.
Nazarko e quajti stuhi në gotë reagimin e gazetarëve në Prishtinë. Ai i bëri jehonë një shkrimi të tijit të para dy ditëve, dhe ripërsëriti në terma anekdotike atë që këta gazetarë po kërkojnë nga Rama, po i kërkojnë Ramës “pse i ka dhënë ujë të ftohtë/të nxehtë gomarit?” Nano e ftoi Nazarkon ta vendoste veten në vendin e një gazetari kosovar për të provuar efektin që prodhon protagonizmi i Ramës në Ballkan, por Nazarko tha se e ka bërë këtë gjë, dhe në çdo rast reagimi i kolegëve të tij në Prishtinë i dilte i egzagjeruar.
Nano në fund tha se kish qenë në Prishtinë dhe kish vënë re se debati mediatik i fortë mes Tiranës e Prishtinës nuk kish mbërritur deri te njerëzit e zakonshëm. “Kjo tregon se ajo që thashë unë është e vërtetë”, tha Nazarko. “Reagimi në Prishtinë është një stuhi në gotë”.



