
“Një zonë në një cep të harruar të ish-Jugosllavisë ka perspektivën për t'u bërë një front i ri evropian në betejën ekonomike me Azinë. Gjeologët po eksplorojnë peizazhin kodrinor për metalin që po bëhet i përhapur në teknologjinë moderne: litiumin”.
Kështu e nis agjencia e lajmeve “Bloomberg” shkrimin e saj për rezervat e litiumit në Serbi.
Depozitat e vlerësuara të litiumit në Serbi janë më të mëdhatë në Evropë. Zona e pasur me atë që njihet si ari i shekullit XXI ndodhet në Serbinë perëndimore, në rajonin e Makva. Vendasit e quajnë mineralin jadarit, për shkak se gjendet në luginën e Jadarit. Mendohet se rezervat e litiumit janë rreth 118 milionë tonë, që përmbajnë 1,8 për qind oksid litiumi, sipas një studimi të kryer nga gjeologët amerikanë të USGS.
Siç raportojnë mediat serbe, Rio Tinto, një nga kompanitë më të mëdha minerare në botë, katër vjet më parë njoftoi planet e saj për të filluar shfrytëzimin e litiumit. Vendimi në lidhje me këtë projekt do të merret në fund të vitit 2020. Deri atëherë, studimi i fizibilitetit të projektit duhet të ketë përfunduar. Sipas drejtorit të përgjithshëm të Rio Tinto Group, Jean-Sébastien Jacques, burimet pranë Loznicës në Serbinë perëndimore ofrojnë mundësinë për të mbuluar nevojat e të gjithë planetit për elektrifikim.
Që prej fillimit të këtij projekti, “Rio Tinto” ka bashkëpunuar ngushtë me Qeverinë e Serbisë dhe zyrtarët vendorë për të garantuar zbatimin e projektit, nga i cili do të përfitojnë direkt komunat. Presidenti Aleksandar Vuçiç e ka quajtur atë "një nga shpresat më të mëdha për Serbinë" dhe u ka bërë thirrje kompanive të shpejtojnë punën për të filluar prodhimin.
Litiumi njihet ndryshe si ari i shekullit të XXI. Nevoja për të është shtuar vrullshëm vitet e fundit për shkak të zhvillimit të teknologjisë. Ai përdoret për bateritë që fuqizojnë gjithçka, që nga iPhone-t deri të makinat “Tesla”. / Përgatiti: Gazmira Sokoli /



