Profesori i çështjeve politike, Nexhmedin Spahiu, për takimin mes Albin Kurti dhe Aleksander Vuçiç ku nuk u ra dakord për draftin për asociacionin e komunave serbe, deklaroi se ishte e pritshme ajo që ndodhi.
Në një lidhje për MCN Live, ai tha se deklarata për personat e pagjetur nuk është hera e parë që bëhet, pasi është deklaruar javë më parë dhe se ka shërbyer vetëm për të thënë që takimi nuk ka dështuar.
Spahiu sqaroi se deklarata për të pagjeturit është e ngjashme me atë që është bërë që në vitin 2005 mes qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë me një deklaratë kur tha se asokohe ka udhëhequr delegacionin e Kosovës për personat e pagjetur në Beograd.
Ai shtoi në bazë të deklaratës së asaj kohe nga 3300 të pagjetur, më shumë se gjysma e tyre eshtrat iu kthyen familjeve dhe se kanë mbetur rreth 1600 persona të cilëve nuk iu janë gjetur ende eshtrat dhe që duhet të gjenden dhe t’iu kthehen familjarëve.
Çështja e asociacionit ka qenë e pritshme të mos dakordësohen. Qëndrimet e Kurtit dhe Vuçiç janë të largëta.
Vuçiç kërkon që kompetencat e serbëve në Kosovë të jenë të ngjashme me serbët në Bosnjë, ndërsa Kurti kërkon që të jenë sa më të zbehta.
Në takimin e ardhshëm besoj se do të ketë ndonjë propozim të ndërmjetësuesve i tipit “merre ose lëre” dhe do të shohim se cilët nga palët do të pajtohen.
Formula e këmbimit është një autonomi më e madhe për serbët në këmbim të njohjes nga Serbia. Po se cili do të jetë niveli i autonomisë së serbëve përmes asociacionit, kjo nuk është dakordësuar.
Serbia duhet ta njohë në një formë apo tjetër Kosovën dhe me planin franko-gjerman i është bërë lëshim që të mos e njohë me notë verbale, por në mënyrë të heshtur përmes vendosjes së misioneve të përhershme në Beograd ose në Prishtinë, gjë që për ne nuk ka pasur kundërshtim.
Se për Kosovën nuk ka rëndësi se si njihet, rëndësi ka që të njihet dhe kjo do të bëhet nëpërmjet vendosjes së ambasadave.
Albin Kurti nuk besoj se është aq budalla sa të krijojë asociacionion, pa marrë në këmbim njohjen. Mbetet të shihet se si do të duket ky asociacion.



