Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, thotë se PD-së i duhet punë intensive që të bëhet zëri i pakënaqësisë dhe alternativë për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve. Në 26-vjetorin e themelimit të PD-së, Mustafaj shprehet se ajo nuk duhet të priret vetëm nga konsumi i qeverisë.
“Tranzicioni në lidershipin e PD-së ka qenë i ndërlikuar, i vështirë, sepse pas Berishës dhe pas asaj humbje lidershipi i ri kishte sfida shumë të mëdha në kushtet e mungesës së përvojës, në kushtet e një rinovimi të përgjithshëm të PD. Unë besoj se ka ende muaj intensive pune për PD-në që ajo të bëhet vërtet zëri i pakënaqësisë dhe alternativë për zgjidhjen e problemeve. Sepse pakënaqësia në vetvete thjesht si pakënaqësi nuk përkthehet në votë për opozitën nëqoftëse opozita me programin e saj politik, me figurat që i ofron shoqërisë shqiptare nuk i përgjigjet si duhet”, thotë ai për “Orën”.



