Është arrestuar sot në Tiranë Aldo Avdylaj, i cili ishte shpallur në kërkim nga SPAK. Prangosja e Avdylajt vjen pas operacionit të SPAK që goditi grupin e Rrumit të Shijakut dhe Avdylajve.
Ai akuzohet si organizator dhe bashkëdrejtues i grupit kriminal që ekzekutoi Edmir Bregun në vitin 2021 në Durrës. Mësohet se Avdylaj ishte fshehur në një apartament pranë zonës së Kopshtit Zoologjik.
Avdylaj do të përballet me disa akuza si vrasje me paramendim, mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, si dhe grup i struktuar kriminal.
Në një raportim për Mcn Live gazetari Besmir Pula raporton:
“Ka qenë një operacion i koordinuar ku Forca e Posacme Operacionale e Durrësit, në bashkëpunim me Forcat RENEA-na, këtu afër Kopshtit Zoologjik dhe Liqenit të Thatë është organizuar një operacion për kapjen e shtetasit në kërkim prej disa ditësh Aldo Avdylaj. Aldo Avdylaj është gjetur i strehuar në një nga apartamentet e zonës. Në cilësinë e provës materiale i është gjetur edhe një armë zjarri që e mbante në krevatin ku flinte”.



