Viti 2022 rezulton me numrin më të lartë të magjistratëve të marrë në mbrojtje nga shteti. Ndërsa gjyqtarë e prokurorë kërcënohen jo vetëm nga krimi e mafia, po ashtu nga politika dhe biznesi.
Sipas të dhënave siguruar nga FactCheck rezulton se përgjatë vitit 2022 të kërcënuar nga krimi dhe mafia kanë qenë 9 magjistratë, 8 prokurorë dhe një gjyqtar.
Sipas Komisionit për mbrojtjen e prokurorëve rezulton se janë ofruar mbrojtjet e mëposhtme:
-Për 4 (katër) kërkesa është vendosur afati 3 (tre mujor) për mbrojtje fizike;
-Për 2 (dy) kërkesa është vendosur afati 6 (gjashtë mujor) për mbrojtje fizike;
-Për 2 (dy) kërkesa është vendosur afati 1 (një vjeçar) për mbrojtje fizike;
Por nga vjen kërcënimi i magjistratëve dhe në cilat zona ndodh?
Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Komisioni thotë “Duke patur në konsideratë shtrirjen gjeografike të kërkesave për mbrojtje të veçantë përgjatë vitit 2022, konstatohet që këto kërkesa janë paraqitur kryesisht nga magjistratë prokuror që ushtrojnë funksionet, kryesisht, në prokuroritë më të mëdha të vendit. Kjo shtrirje gjeografike e kërkesave për mbrojtje vazhdon të qëndrojë në zonat ku ka aktivitet të shtuar dhe të rëndë kriminal”.
Ndërsa Këshilli i Lartë Gjyqësor përgjatë vitit 2022 sqaron se “Gjatë vitit 2022, Komisioni është mbledhur një herë duke vendosur marrjen e masës së mbrojtjes për një gjyqtar”.



