
Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me kryebashkiakët në kuadër të “Paketa e Maleve”, një nismë që synon nxitjen e investimeve dhe zhvillimin në zonat malore të vendit.
Rama pranoi se procesi po ecën me ritme të ngadalta, ndërsa kërkoi më shumë angazhim nga pushteti vendor.
Megjithatë, për analistët e ftuar në emisionin “MCN Live”, kjo nismë ngre shumë pikëpyetje.
Përfaqësuesi i Departamentit të Bujqësisë në PD, Eduard Sharka, e cilësoi “Paketën e Maleve” si një nismë demagogjike, që sipas tij vjen nga persona me interesa të caktuara në pronat publike malore.
Si të gjitha fushatat e mëdha të kryeministrit, edhe kjo përfundon me batuta dhe premtime boshe.
Në thelb, ajo nuk është një strategji zhvillimi, por një përpjekje për të krijuar lehtësira për disa individë që kanë në përdorim sipërfaqe publike. Pushteti vendor ka strategjitë e veta të miratuara dhe nuk mund të trajtohet si nëpunësi i kryeministrit.
Çdo projekt për zhvillimin e zonave malore duhet të nisë nga një strategji vendore e mirëfilltë, dhe jo nga nisma të centralizuara politike.
Në thelb, kjo është një fushatë demagogjike që shërben për të maskuar interesa të caktuara ekonomike.
Ish-ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, ndau të njëjtin qëndrim kritik, duke theksuar se mungon një plan konkret veprimi dhe një hartëzim i qartë i pronësisë.
Duhet hartuar fillimisht një strategji zhvillimi dhe veprimi, me planifikim dhe hartëzim të qartë të zonave. Vetëm më pas mund të diskutohet për pronësinë, sepse jo të gjitha tokat janë publike ka edhe prona private.
Ndërkohë që qeveria flet për zhvillimin e zonave malore, në praktikë po jepen sinjale të kundërta, pasi shumë biznese dhe familje që kanë pasur toka të trashëguara janë dëmtuar nga ndërhyrjet shtetërore.
Ironia është që flitet për zhvillim, por nga ana tjetër u prishen bizneseve që ndodhen në male.
Kjo tregon lidhje të shkurtra interesash që shërbejnë si mbulesë për investime strategjike, shpesh në funksion të krijimit të kanaleve financiare të dyshimta.



