Detaje të reja lidhur me arrestimin e ish-deputetit socialit Jurgis Çyrbja, i arrestuar pasditen e së dielës në Durrës raportohen për MCN Live nga gazetari Besmir Pula.
Jurgis Çyrbja i cili qysh prej mbrëmjes së të dielës ai u dorëzua në bllokun e sigurisë së burgut “302” në burgun Mine Peza, pritet të dalë në Gjykatën e Posaçme.
SPAK e akuzon ish-deputetin Jurgis Çyrbja, si të dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, “Përkrahja e autorit të krimit”, si dhe “Tregtimi i sekretit shtetëror nga shtetasit”.
Sipas burimeve, Jurgis Çyrbja ka përkrahur Altin Hajrin, pasi ky i fundit ka organizuar rrëmbimin dhe më pas vrasjen e Jan Prengës në ambientet e kompleksit “Golden” në Shijak. Çyrbja ka strehuar Altin Hajrin pas ngjarjes.
Të gjitha këto prova kanë ardhur pas zbërthimit të aplikacionit Sky dhe bisedat që Çyrbja kishte me Altin Hajrin.
Çyrbja ka qenë fillimisht nën hetim për një çështje tjetër për pronat, kur ishte drejtues i Kadastrës Durrës, por kemi dhe hetime paralele lidhur me përfshirjen e Jurgis Çyrbjes me grupet kriminale.
Bashkë me Çyrbjen është arrestuar dhe Ahmet Masha. Këta persona kanë bashkëpunuar me njeri tjetrin.
Altin Hajri prej vitesh rezulton në kërkim për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës në janar të vitit 2020. Jan Prenga u rrëmbye në Kamëz për shkak se vëllai i tij dyshohet se kishte vjedhur një sasi prej 200 kilogramë kokainë në portin e Portsmuth në Angli.
Për shkak të dhunës së ushtruar ne automjetin tip “Range Rover” ai humbi jetën rrugës për në një resort në Shijak, aty ku nga pamjet filmike duket i pajetë. Trupi i Prengës nuk është gjetur ende.
Ish-deputeti socialist Jurgis Çyrbja i cili pak ditë më parë dorëzoi mandatin e të zgjedhurit, u arrestuar pasditen e së dielës me urdhër të Prokurorisë së Posaçme, teksa po udhëtonte me makinën e tij.
Më 9 tetor Çyrbja la mandatin nën argumentin e problemeve shëndetësore, pak ditë pasi ishte thirrur në SPAK, ndërsa po kjo prokurori disa ditë më vonë i komunikoi marrjen si të pandehur.



