
Ministria e Shëndetësisë ka hedhur për konsultim publik draftin për “Për parandalimin dhe mbrojtjen ndaj dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje”.
Ines Leskaj, drejtore Ekzekutive e Rrjetit të Fuqizimit Të Gruas në Shqipëri tha në studion e MCN Tv se drafti parashikon një lloj unifikimi me legjislacionin e vendeve të BE-së.
Më tej Leskaj tha se në ligj janë përfshirë dhe ngacmimet në vendin e punës.
Janë bërë disa shtesa që janë të rëndësishme. Është shtuar çështja që i takon dhunës dhe ngacmimit në vendin e punës që ka qenë e munguar në këtë ligj, kjo bëhet për të qenë në përputhje me legjislacionin ndërkombëtar të BE, por dhe me konventa të rëndësishme ndërkombëtare. Një ndryshim i tillë është i rëndësishëm. Ka një ndryshim lidhur me teknologjitë e informacionit dhe me mënyrën si dhe çfarë do të konceptohet dhunë.
Duhet kuptuar që ky ligj është munduar të jetë sa më gjithëpërfshirës që të jetë e mundur në kuptimin e dhunës së ushtruar me bazë gjinore.
Mos t’i përmbahemi vetëm dhunës në familje, dhunës fizike dhe psikologjike, por të gjitha format e dhunës me bazë gjinore që konceptohen si të tilla edhe në legjislacionin ndërkombëtar. Është një lloj unifikimi me legjislacionin e vendeve të BE-së.
Sipas Leskajt, buxheti pothuajse asnjëherë nuk ka qenë i mjaftueshëm.
Dispozitat ligjore janë mëse të mjaftueshme. Problemi qëndron tek zbatueshmëria, tek funksionimi i ligjit, tek mënyra si sistemi i përmbahet ligjit. Ligji mund të jetë i mirë, por burimet, por buxheti lidhur me këtë ligj pothuajse asnjëherë nuk ka qenë i mjaftueshëm. Shërbimet kanë qenë të pambuluara. Nëse shërbimet do të jenë të munguara do të ketë dhe hezitim dhe zgjatje të proceseve nga personat që denoncojnë dhe raportojnë.
Edhe fuqizimi është pjesë e ligjit, por edhe e strategjive kombëtare që ne kemi. Mbetet problem çështja e mundësive dhe burimeve financiare lidhur me këtë fuqizim.



