Kreu i "Nismës Thurje" Endri Shabani komentoi në edicionin e lajmeve në MCN TV skandalin e ish-zyrtarit të FBI McGonigal dhe implikimin e kryeministrit Rama në këtë histori. Shabani tha se me aq sa dimë nga hetimi, Rama është subjekt i ligjit si në SHBA ashtu edhe në Shqipëri.
Shabani u shpreh se kjo çështje mund të përfundojë me shpalljen “non grata” të Ramës, duke theksuar se kryeministri dhe kreu i PD Berisha po njësohen me njëri-tjetrin. Duke u ndalur te dimensioni moral, Shabani vë në dukje se në një vend demokratik kryeministri do kishte dhënë dorëheqjen në rast të një çështjeje të tillë.
Nuk dua të bëj rolin e prokurorit, por me aq sa kemi mësuar nga hetimi që po zhvillohet në SHBA, besoj se Edi Rama është subjekt ligji si në SHBA, ashtu edhe në Shqipëri. Akuzat janë që kemi të bëjmë me shkelje të barazisë në tendera, shkelje të ligjit në Shqipëri, kemi të bëjmë me korrupsion aktiv në SHBA. S’e di se si Rama mund të mos jetë, në rastin më të keq një njeri që ka dijeni për ngjarjen, por normalisht një i pandehur që do duhet të japë llogari për veprimet e tij, që me aq sa shohim sot duket që janë në shkelje të ligjit. Me aq sa ne shohim sot veprimet e tij duket që janë në shkelje të ligjit. Është lojë e vjetër, 32 vjetër, opozita sa herë del një skandal e ekzagjeron, pala tjetër përpiqet ta relativizojë. Por kemi të bëjmë me një ngjarje të rëndë, për sa i përket kredibilitetit të ndërkombëtarëve në Shqipëri. Kemi një njollosje. Kjo e bën edhe më të rëndë fajin e zyrtarëve në Shqipëri, duke filluar nga Rama, që nuk e përdorin postin për të mbrojtur interesat e shqiptarëve, por e përdorin për luftë të brendshme, shqiptarët kundër shqiptarëve. Kemi të bëjmë me papërgjegjshmëri dhe mungesë përgjegjësie institucionale dhe kombëtarëve. Kjo tregon që përpara luftës në pushtet këta nuk vënë asgjë! Kemi të bëjmë me një rast ku zyrat e shtetit përdoren për qëllime private. Nga dokumentet që kanë dalë nga hetimet, duket që qëllimet private janë lufta e brendshme politike, hetimi i palës tjetër. Edhe nëse është kapur Basha me para ruse, përse nuk i është kërkuar zyrtarisht FBI-së për të hetuar?!”.
Ato takime degradojnë edhe figuron e z.McGonigal, është një dëshpërim dypalësh. Duhet më tepër hetim. As amerikanët dhe asnjë popull në botë s’është i pastër, midis tyre ka njerëz të korruptuar. Ata e kanë zgjidhur hallin e vet, në SHBA McGonigal po hetohet dhe qartazi do dënohet. Çështja mbetet në Shqipëri. A kemi ne filtra ligjor?! Se SPAK-un s’e shoh aktiv për ta hetuar dhe zbardhur. Ka edhe një dimension moral. Në një vend demokratik kryeministri do kishte dhënë dorëheqjen, mbaronte punën me drejtësinë, sqaronte çështjen dhe mund të garonte prapë për t’u bërë kryeministër. Ai s’e ka mendjen te hallet e shqiptarëve sepse është i angazhuar te një problem personal. Nëse këta zyrtarë të korruptuar në SHBA dhe BE futen në burg, në Shqipëri fuqizohen dhe rrinë në pushtet. Për çfarë është paguar, si është paguar dhe nga kush është paguar?! Nëse është paguar në dorë me dijeninë dhe urdhrin e Ramës, kemi të bëjmë me një kryeministër që duhet të jetë para drejtësisë. Kjo çështje mund të përfundojë me shpalljen ‘non grata’ të Ramës. Cili do jetë diskursi i PS?! Berisha dhe Rama po njësohen. Nga Berisha dhe Rama, kemi kaluar në Sali-Rama. Në 32 vite erdhëm në pikën ku këta nuk ndryshojnë nga njëri-tjetri, dhe nevoja për ndryshim bëhet më urgjente nga ç’ka qenë dje. Nëse Edi Rama ka dijeni për ngjarjen, do jetë i akuzuar, ai do duhet të thirret. Ndoshta duhet të shkojë në SHBA, ose vijnë prokurorët në Shqipëri. Aty nëse Rama gënjen është vepër penale në vetvete. Ato në Parlament merren për bazë, por s’është e njëjta gjë sepse s’është një dëshmi për hetim.
Shabani tha se nuk pret asgjë nga interpelanca që do të zhvillohet nesër me Ramën në Kuvend, dhe as nga protesta e thirrur nga Berisha më 11 shkurt.
Ne nesër nuk do marrim vesh gjë. Rama sa herë kapet gafil sajon një term të ri, kazan, Kadri, bën zhurmë, në fund aty s’do merret vesh gjë. Këta janë në një ekuilibër ku asnjëra palë s’ka interes për të vrarë politikisht palën tjetër. Nuk pres asgjë. Berisha do bëjë punën e vet, ne do vazhdojmë punën tonë. Nuk jam kundër protestave. Do preferoja që një protestë e tillë të bëhet për rritjen e çmimeve, emigrimin, vdekjen e njerëzve të spitaleve, për hallet e shqiptarëve, por është në të drejtën e opozitës ta bëjë edhe për këtë, por s’është çështja jonë, s’është beteja jonë. Berisha dhe Rama janë njësoj. Këtu pushteti rrëzohet vetëm me zgjedhje. Berisha ka paralajmëruar uragan. Ky uragan është fiks si uragani i Berishës, e ka stacionin 1 herë në 3-4 muaj! Është beteja e Berishës që i shkon me moshën, mentalitetin që ka. Ne si Nisma Thurje e kemi besimin te zgjedhjet, nëse qytetarët dalin të votojnë, ai është uragani i vërtetë. Shqiptarët sot e dinë kush është Edi Rama, 65 për qind e shqiptarëve nuk e duan. Problemi që kanë është se s’janë të bindur te demokracia, te alternativat”.



