Deputeti i PD Saimir Korreshi foli në MCN Live mbi tre bankat e nivelit të dytë që po hetohen nga SPAK në lidhje me çështjen e mashtrimit me mikrokreditë.
Korreshi tha që normat e fitimit të bankave janë marramendëse dhe në limitet e fajdeve. Sipas tij SPAK duhet ta shtrijë hetimin edhe te bankat e tjera të nivelit të dytë.
“Të fundit fare jemi ne që e pësojmë, ne që kemi marrë interesa dhe kredi. Kjo skemë ka qenë e mëhershme, edhe bankat e nivelit të dytë kanë rolin e tyre. Ti merr kredinë për X lekë dhe të thonë do paguash 85 milionë në finale. Kur bën llogaritë nga viti i dytë për 19 vite, dhe del që do paguash më shumë se 85, do të shkojë 89. Kjo është ajo që njerëzit shkallojnë nga mendtë e kokës. Ndryshimet e 2017-ës, me lobing të fortë nga bankat, u kanë sjellë atyre përfitime, sepse edhe kur njerëzit janë në pamundësi të pagesës, bëjnë urdhër-ekzekutimi, dhe ta kthejnë kontratën e kredisë në titull ekzekutiv. SPAK-u duhet të shkoj përtej, brenda afatit kohor që i jep kodi i procedurës, duhet të shtrihet në kohë, për BSH, të gjitha bankat e nivelit të dytë. Duhet pastruar ky sistem. Mund të bëhet një hetim kryesisht përmes BSH. Normat e fitimit të bankave të nivelit të dytë janë marramendëse, në kurriz të taksapaguesve. Po kalojnë në limitet e fajdeve. Normat e interesit janë jashtëzakonisht të mëdha. Skema ka qenë piramidë. Menjëherë që u bë publik skandali, e shikon që edhe mikrokreditë kanë ndryshuar kursin, duke dhënë edhe kredi me interesa zero për 4 muaj. I gjithë sistemi ka nevojë për ndërhyrje. Për mua është shumë e thellë dhe e organizuar. Ka ardhur si pasojë e neglizhencës në rastin më të mirë dhe ndërhyrjes me ndonjë zarf”.



