Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se ka shkuar në 10 numri i të infektuarve me koronavirus në Shqipëri.
Në një deklaratë për mediat, zv/ ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli njoftoi se nga këta 10 të infektuar, 6 janë persona që kanë lidhje me 2 pacientët e parë të infektuar, dhe 2 janë raste të reja.
Ajo pohoi se një rast i ri është konfirmuar në Tiranë dhe ndodhet në spitalin infektiv, ndërsa rasti i dytë i ri është konfirmuar në Durrës dhe ndodhet në spitalin e këtij qyteti.
“Tek kjo 10-tëshe, janë ata dy të cilët kanë qenë dje, që janë deklaruar dje, që kanë qenë 2 të sëmurët e parë. Janë 6 vetë që janë kontaktet e këtyre të sëmurëve dhe kemi edhe 2 raste të reja, të palidhura me këta dy rastet e para. Kemi një të sëmurë i cili është i shtruar në spitalin infektiv dhe ka një histori udhëtimi 1 ditor në Milano dhe është sëmurë pas këtij udhëtimi dhe kemi edhe një person tjetër të shtruar në spitalin e Durrësit”.
Rakacolli bëri thirrje për kujdes personal dhe shmangie të grumbullimeve në vendet publike si dhe transportin ndërqytetas.
Testimi i rasteve: Janë testuar 114 persona, janë 10 të infektuar.
Vetizolimi: Karantimi i detyrueshwm është shumë i rëndësishëm, pasi jep disa gjëra të mira. Karantimi shmang kontaktet e këtyre njerëzve me personat e tjerë.
Marrja e masave: Zv/ministrja Rakacolli deklaroi se njerëzit duhet të marrin masat e duhura, pasi ato nuk po zbatohen. Kemi shumë njerëz në kafene e restorante, të kufizojmë transportin publik. Të shmangim daljet e panevojshme nga shtëpia. Duhen evituar udhëtimet ndërkombëtare. I kemi strukturat për të përballuar çdo lloj situate. Sistemi është në këmbë, por sjellja nuk është në përputhje me panikun. Ulemi në kafene dhe diskutojmë për Covidin.
Insituti i Shëndetit Publik, Albana Fico deklaroi se instituti ka të gjitha kapacitetet për të përballuar situatën e koronavirusit.
Gjatë fjalës së saj për mediat, Fico u bëri apel shqiptarëve për masat që duhet të marrin për higjienën personale.
Ajo vuri në dukje larjen e duarve më shumë se 20 sekonda, përdorimin e dezinfektantëve, respektimin e higjienës respiratore, përdorimin e facoletës, pas kollitjes dhe teshtimave.
“Të zbatojmë rregullin e distanimit social, por të gjithë jemi të informuar që një nga mënyrat e përhapjes janë spërklat në kontakte direkte dhe jo e ajrit”, tha Fico.
Shtimi i rasteve: Drejtori i Urgjencës Kombëtare Skënder Brataj paralajmëroi se rastet me koronavirus pritet të shtohen. Gjatë daljes në konferencë për mediat, ai tha se jemi në prag të një epidemie, ndërsa kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve për të parandaluar përhapjen në masë. Brataj tha gjithashtu se 90% e rasteve që shfaqin simtoma kurohen në shtëpi.
Trefishimi i telefonatave: Brataj deklaroi se janë trefishuar telefonatat në numrin 127, ndërsa theksoi se qytetarët të respektojnë këshillat për parandalimin e koronavirusit.



