“SPAK po hetohen mbi 35 raste për krime zgjedhore”, Lala: Policia ka referuar kryesisht raste të opozitës

“SPAK po hetohen mbi 35 raste për krime zgjedhore”, Lala: Policia ka referuar kryesisht raste të opozitës

Gazetarja Klodiana Lala, në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN, bëri të ditur se Prokuroria e Posaçme po heton mbi 35 raste të krimeve zgjedhore, kryesisht të lidhura me korrupsionin dhe shitblerjen e votës. 

Rastet më të rëndësishme janë regjistruar në qarqet Elbasan, Fier, Kukës, Shkodër dhe Kavajë, ku janë sekuestruar shuma të mëdha parash, janë bërë përgjime dhe janë kryer kontrolle në banesa, automjete dhe telefona të personave të dyshuar.

 

Sipas Lalës, hetimet kanë përfshirë edhe funksionarë publikë, përfshirë kryetarë bashkie apo kandidatë për deputetë, por deri tani nuk ka të arrestuar. Ajo shprehu shqetësimin për rolin jo të balancuar të Policisë së Shtetit, që sipas saj ka referuar kryesisht raste që lidhen me opozitën.

 

“Prokuroria e Posaçme ka regjistruar mbi 35 raste që lidhen me krime zgjedhore, të cilat janë aktualisht në fazë hetimi si procedime penale. Pjesa më e madhe e tyre kanë të bëjnë me korrupsionin zgjedhor apo vepra të tjera penale që lidhen me procesin elektoral.

 

Deri tani janë raportuar edhe disa arrestime, përfshirë një rast që lidhet me babanë e një kandidateje për deputete nga Partia Social Demokrate. Në qarkun e Fierit janë hetuar edhe persona të tjerë, të dyshuar për përfshirje në shitblerje votash, gjithashtu për llogari të kësaj partie.

 

Ndërkohë në qarkun e Kukësit, dhe sidomos në atë të Elbasanit, janë regjistruar disa nga rastet më të rëndësishme që po ndiqen me vëmendje nga autoritetet. Një ndër këto është rasti i një biznesmeni, në banesën e të cilit u gjet një shumë e konsiderueshme prej rreth 200 milionë lekësh të vjetra. Dyshohet se këto para ishin planifikuar për blerjen e votave në favor të një kandidati të Partisë Socialiste.

 

Edhe pse biznesmeni ka pretenduar se bëhet fjalë për të ardhura nga aktiviteti i tij tregtar, Prokuroria e Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit kanë dyshime serioze për qëllimin e këtyre fondeve. Për këtë arsye janë kryer kontrolle në banesa dhe ambiente të tjera, si dhe ndaj automjeteve e telefonave të përfshirë.

 

Rasti mbetet me interes, pasi përgjimet e kryera më herët lidhen drejtpërdrejt me shumën e sekuestruar, edhe pse deri tani nuk ka persona të arrestuar.

 

Zhvillime ka patur edhe në qarkun e Shkodrës, ku janë ushtruar kontrolle personale, përfshirë marrjen e celularit të kryetarit të Bashkisë së Vaut të Dejës, përfaqësues i Partisë Socialiste. Janë kryer gjithashtu kontrolle në ambiente të tjera të lidhura me persona të dyshuar për krime zgjedhore. Edhe në këtë rast nuk ka të arrestuar, por çështja mbetet në hetim aktiv, me përdorimin e përgjimeve dhe analizës së pajisjeve celulare.

 

Një tjetër rast me rëndësi është ai në Kavajë, që lidhet me ish-kryetarin e bashkisë, Elvis Roshi. Ai ka kaluar nga një forcë politike tek një tjetër, një e drejtë kjo personale që nuk paragjykohet. Aktualisht, kushëriri i tij ka kandiduar në listën e hapur të Aleancës Shqipëria Madhështore, e lidhur me Partinë Demokratike. Ky është një rast që policia e shtetit ia ka referuar Prokurorisë së Posaçme, pasi janë gjetur të dhëna që flasin për përfshirje në krime zgjedhore.

 

Një shqetësim i ngritur në këtë kontekst ka të bëjë me rolin e policisë së shtetit, e cila, ndonëse në dukje është treguar bashkëpunuese, në praktikë ka referuar kryesisht raste që prekin opozitën. Kjo ka ngjallur dyshime për mungesë balancimi institucional.

 

Sa i përket vetë procesit zgjedhor, është e qartë se ka patur raste të shitblerjes së votës, dhe këtë e tregojnë edhe shifrat. Gjithashtu, është evidente edhe përdorimi i administratës shtetërore dhe mjeteve zyrtare gjatë fushatës elektorale, një praktikë që njihet gjerësisht si problematike.

Shumë prej këtyre rasteve mund të mos jenë në kompetencën e Prokurorisë së Posaçme, por gjithsesi kërkojnë vëmendje dhe hetim të mëtejshëm. Për vetë taskforcën e zgjedhjeve, pritshmëritë kanë qenë më të mëdha, sidomos duke marrë parasysh marrëveshjen e bashkëpunimit mes institucioneve. Megjithatë, arrestimet në flagrancë kanë qenë të pakta.

 

Duhet theksuar se ndëshkimi për krimet zgjedhore mund të vijë edhe më vonë. Historia ka treguar se raste të ngjashme janë zbuluar dhe hetuar pas përfundimit të zgjedhjeve. Edhe pse ndoshta ndikimi në rezultatin përfundimtar nuk është i lehtë për t'u përcaktuar, është e rëndësishme që hetimet të çojnë në ndëshkimin e atyre që kanë shkelur ligjin.”

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy