Kandidatja e PS Maldrita Bardho, e cila fitoi mandatin e deputetes pas rinumërimit të votave në Fier, është tërhequr duke ia lënë mandatin e ligjvënëses Zegjine Çaushit.
Lajmi është bërë me dije nga vet Bardho në një reagim në rrjetet sociale, ku shprehet se "Zegjineja ka luftuar më shumë për skuadrën se sa për veten këtë fushatë". Kujtojmë që Çaushi e humbi më herët mandatin pas rinumërimit të votave, ku Bardho kryesonte me 10 vota më shumë.
Nga rinumërimi Çaushit iu hoqën 47 vota, ndërsa Bardhos iu shtuan 26 vota.
REAGIMI
Pasi ndoqa me vëmendje rinumërimin e votave për qarkun Fier, ndihem e lumtur dhe e nderuar që kontributi im i gjatë në Partinë Socialiste është vlerësuar nga bashkëqytetarët e mi dhe ata më kanë konsideruar të denjë për ti përfaqësuar në parlamentin shqiptar.
Megjithatë, unë kam marrë një vendim të rëndësishëm, që kam dëshirë ta ndaj me të gjithë, një vendim që e kam marrë përpara se të niste rinumërimi dhe që sot m’u përforcua përfundimisht.
Unë do të vijoj të kontribuoj për Partinë Socialiste dhe për Lushnjen, me të gjithë mundësitë e mia, por pa qenë pjesë e parlamentit shqiptar.
Do t’i lë me shumë kënaqësi vendin tim, koleges dhe mikes time, Zegjine Çaushi, Zegjinesë që ka luftuar ndoshta më shumë për skuadrën se sa për veten këtë fushatë, duke u vënë në shenjestër të sulmeve të pamerituara nga politika e vjeter, nga politika e përbaltjes që ka frikë nga zërat e rinj, Zegjinesë nga e cila sot më ndajnë vetëm 10 vota dhe që padyshim e meriton të jetë në sallën e Kuvendit, për të përfaqësuar të rinjtë, sidomos vajzat.
Ju falenderoj nga zemra thellësisht dhe do të jem aty për të gjithë ju që më votuat, me të njëjtin entuziazëm dhe forcë që vetëm ne socialistët kemi!



