Avokati Gylsen Zhllima ka reaguar në 'MCN Informacion' lidhur me debatet e fundit në Partinë Demokratike dhe procesin për zgjedhjen e kryetarit, duke kritikuar ashpër përjashtimet e anëtarëve dhe mënyrën si po menaxhohet situata brenda partisë.
Sipas Zhllimës, një parti demokratike duhet të funksionojë mbi parimet e lirisë dhe barazisë së anëtarëve, duke respektuar statutin dhe vendimmarrjen kolegjiale. Ai thekson se askush brenda strukturave partiake nuk ka të drejtë të përjashtojë individë në mënyrë të njëanshme.
E vërteta është se një parti demokratike ndërtohet mbi lirinë dhe demokracinë dhe duhet të respektojë statutin e saj. Të gjithë anëtarët, pavarësisht pozicionit, janë të barabartë.
Edhe sikur të ishte një subjekt privat, partia duhet të respektojë normat dhe frymën e anëtarësisë. Përjashtimi i një anëtari nuk mund të bëhet nga një sekretar partie, por vetëm nga organi më i lartë vendimmarrës, siç është kongresi, përmes një komisioni kolegjial.
Ai shtoi se edhe ligji për partitë politike e përcakton qartë që largimi i një anëtari duhet të bëhet përmes një strukture kolegjiale, duke e konsideruar çdo veprim ndryshe si të paligjshëm dhe të dëmshëm për vetë partinë.
Zhllima i cilësoi përjashtimet në PD si veprime që, sipas tij, i shërbejnë kundërshtarëve politikë.
Çdo përjashtim nga PD, për mendimin tim, është një ‘qokë’ që i bëhet drejtpërdrejt Edi Ramës, për të zhvendosur vëmendjen e publikut.
Në analizën e tij për konfliktet e brendshme, ai u shpreh se tensionet nuk burojnë drejtpërdrejt nga ish-kryetari Sali Berisha, por nga figura të tjera brenda partisë.
Ndërkohë, për rastin e Ervin Salianjit, Zhllima theksoi se ai ka qenë pjesë e strukturave të PD-së në kohë të ndryshme dhe se çdo vendim për përjashtim duhet të kalojë përmes filtrave institucionalë të partisë.
Në përfundim, avokati bëri thirrje për një proces të hapur dhe gjithëpërfshirës në garën për drejtimin e Partisë Demokratike.
Berisha duhet ta hapë garën, të lejojë të kandidojnë të gjithë dhe në fund të fitojë më i miri, por jo të përdoren këto metoda.



