Policia e Elbasanit ka arrestuar orët e para të mëngjesit të sotëm 45-vjeçarin Josif Kavaja, i cili pasditen e djeshme në fshatin Seltë qëlloi me armë në drejtim të punonjësve të policisë. Këta të fundit, ai i kërcënonte duke u thënë: “Do t’u vras të gjithëve”.
Pas kësaj ngjarje, në mbështetje të Policisë së Elbasanit shkuan forcat RENEA nga Tirana ku organizuan operacionin për kapjen e 45-vjeçarit Kavaja. Për disa orë, Josif Kavaja iu fsheh policisë në zonë pyjore, për t’u kyçur më pas në mesnatë në banesën e tij.
Forcat RENEA arritën ta neutralizonin vetëm mëngjesin e sotëm, ku edhe pati shkëmbim zjarri mes palëve. 45-vjeçari u arrestua brenda në banesën e tij, ku qëndroi për disa orë. Sipas informacioneve të policisë, ndërhyrja për kapjen e tij nuk u bë gjatë natës, për shkak të zonës që ndodhej në errësirë totale dhe se Kavaja ishte i armatosur.
Për të shmangur tragjedinë e radhës në Elbasan, Policia bëri negociata me vëllanë e 45-vjeçarit Kavaja, ndërsa ky i fundit sërish nuk u bind të vetëdorëzohej. U desh ndërhyrja e forcave RENEA mëngjesin e sotëm, për ta neutralizuar brenda në banesë. Burimet thanë se operacioni ishte mjaft i vështirë, ndërsa gjatë kësaj kohe Josif Kavaja ka qëlluar me armë në drejtim të efektivëve. Si pasojë e të shtënave ka mbetur i plagosur vetë 45-vjeçari, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Çfarë ndodhi gjatë natës
Rreth orës 02:00, në janë dëgjuar të shtëna arme, por nuk kanë qenë të shtënat e vetme. Herë pas here, 45-vjeçari qëllonte me armë në ajër, me pretendimin se policia do të largohej nga perimeti I bërë ndaj tij. Gjatë kësaj kohe ka patur edhe shkëmbim zjarri. Pas krehjes së zonës është bërë e mundur gjetja e një pushke dhe një sopate.
Kush është Josif Kavaja
I dyshuari Josif Kavaja, menjëherë pas të shtënave ndaj Policisë, është arratisur dhe bashkë me armën që mbante në dorë ka marrë drejtimin për nga një zonë e pyllëzuar, ku dhe ka humbur gjurmët ditën e enjte. Ai ishte denoncuar disa herë nga banorët e zonës, pasi qëllonte herë pas here me armë në ajër dhe ata ndiheshin të rrezikuar. Policia i kishte shkuar në shtëpi për kontroll më herët, por nuk i kishte gjetur armë.
Ndërsa dje, shërbimet e rendit kanë shkuar sërish për kontroll, por kësaj here janë përballur me të shtënat. Fatmirësisht nuk ka pasur asnjë të lënduar. I dyshuari, mësohet të jetë person me precedentë penal dhe ishte depërtuar pak kohë më parë nga Anglia. Ai jetonte i vetëm në fshatin Seltë, pasi familja e tij ishte shpërngulur nga aty.
Banorët e fshatit kanë deklaruar dje se ai ishte beqar dhe kishte probleme. 45- vjeçari ka kërcënuar efektivët se nëse tentojnë të ndërhyjnë, ai do të qëllonte drejt tyre. Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Harxov”, të fshatin Seltë të Njësisë Administrative Zavalinë e Elbasanit.
Njoftimi i Policisë:
Në vijim të informacionit të dhënë për sulmin me armë nga shtetasi J.K ndaj forcave të Drejorisë Vendore të Policisë Elbasan që kishin shkuar nē fshatin Selte, Elbasan, për kontroll banese me vendim Gjykate, në banesën e shtetasit J.K., pasi dyshohej se dispononte armë zjarri pa leje, ju informojmë se:
Policia Vendore e Elbasanit rrethoi zonën në një perimetër të gjerë dhe në ndihmë të Policisë Vendore shkuan forcat speciale Renea.
Grupi negociator i Reneas i ka bërë thirrje për disa orë rresht shtetasit J.K., për t'u dorëzuar, por ky shtetas nuk i është bindur thirrjeve të Policisë.
Shtetasi J.K, në orët e para të mëngjesit ka qëlluar me armë në drejtim të forcave Renea dhe gjatë shkëmbimit të zjarrit ky shtetas ka mbetur i plagosur jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje janë gjetur një armë zjarri pushkë dhe një sopat.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, vijon punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes.



